Aksidenti fatal ku humbi jetën futbollisti Fatjon Bunjaku, Policia zbardh detajet dhe shkakun e ngjarjes

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Pas aksidentit të rëndë të ndodhur këtë të diel, ku si pasojë humbi jetën futbollisti i Elbasanit me origjinë nga Kosova, Fatjan Bunjaku, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka dalë me një reagim zyrtar ku ka bërë të ditura rrethanat e aksidentit.

Zëdhënësi ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur më 7 qershor 2026, rreth orës 00:55, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, në segmentin rrugor që kalon nëpër fshatin Maxhunaj.

Ndërkohë, sipas Policisë, në aksident është përfshirë një veturë, ndërsa si pasojë e përplasjes drejtuesi i automjetit, futbollisti i Elbasanit, Fatjon Bunjaku, dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, drejtuesi i automjetit, Fatjon Bunjaku, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.

“Rreth orës 07:50, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është pranuar njoftimi se, përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit, viktima mashkull 22-vjeçar, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërkohë, hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te aksidenti fatal.

The post Aksidenti fatal ku humbi jetën futbollisti Fatjon Bunjaku, Policia zbardh detajet dhe shkakun e ngjarjes appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: