Brunilda premtoi çadra me 700 lekë në Vlorë, pushuesit ankohen se po paguajnë shumëfishin

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në fillim të sezonit veror, kryetarja e bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini sqaroi vendimin e miratuar në këshillin bashkiak për tarifat e plazheve në Vlorë. Sipas saj, rreth 15 mijë metra vijë bregdetare do të jenë plazhe publike falas, ku do të vendosen 350 çadra dhe shezlongë për pushuesit.

Mersini deklaroi gjithashtu se për plazhet e menaxhuara nga operatorët privatë do të aplikohet një tarifë maksimale prej 700 lekësh për një çadër me shezlongë. Sipas saj, kjo masë synon të shmangë abuzimet me çmimet, të cilat në vitet e kaluara kanë arritur deri në 1.500 apo 2.000 lekë.

“Pastaj, për plazhet publike të menaxhuara që dikur i kanë pasur privatët, do të menaxhohen në bashkëpunim tashmë me bashkinë dhe bashkia do të jetë në bashkëpunim me operatorët turistikë privatë për ato plazhe, por e mira është që këta nuk mund të tarifojnë më shumë se 7 mijë lekë të vjetra. Pra, dikur plazhet private që tarifoheshin me çmime të ndryshme, 10, 15 mijë, apo aty ku ka pasur edhe plazhe 20 mijë lekë, tashmë nuk do të kenë të drejtë të kenë më shumë se 7 mijë lekë.”

Megjithatë, qytetarë dhe pushues kanë ngritur shqetësime për zbatimin e këtij vendimi në terren. Në redaksinë tonë kanë mbërritur disa denoncime ku pushuesit raportojnë se në disa zona të bregdetit të Vlorës çmimet vijojnë të jenë dukshëm më të larta se tavani i shpallur nga bashkia.

Një qytetar denoncon se në plazhin e Zhironit një çadër me shezlongë kushton 2.000 lekë, ndërsa një tjetër tregon se në plazhe të ndryshme të Vlorës tarifa arrin deri në 1.500 lekë.

Këto raportime kanë ngritur pyetjen nëse rregullat e vendosura nga bashkia po zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjithë operatorët dhe nëse po ushtrohet kontrolli i nevojshëm për respektimin e tarifës maksimale të miratuar.

Mbetet për t’u parë nëse institucionet vendore do të verifikojnë rastet e denoncuara dhe do të marrin masa në rast të shkeljeve të konstatuara.

Denoncimi 1:

Pershendetje 2,000 lekë për një çadër dhe shezlongë në Zhironi, Vlorë. Ndërsa publikisht është folur për një tarifë maksimale prej 700 lekësh. A po zbatohen të njëjtat rregulla për të gjithë?

Denoncimi 2:

Ne Vlore nje cader me shezlonge 15 mije leke, kush tha qe do ishte 7 mije leke

 

 

The post Brunilda premtoi çadra me 700 lekë në Vlorë, pushuesit ankohen se po paguajnë shumëfishin appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: