Konfederata Evropiane e Sindikatave kërkon ligj që përcakton temperaturën maksimale për të punuar

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Valët ekstreme të të nxehtit po e bëjnë gjithnjë e më të rrezikshme punën në shumë vende të Evropës. Për këtë arsye, Konfederata Evropiane e Sindikatave po i kërkon Komisionit Evropian të miratojë një ligj që vendos një temperaturë maksimale për punën, duke garantuar pushime të paguara, ujë të pijshëm dhe kushte më të sigurta për punëtorët.

Sipas sindikatave, nxehtësia nuk është më një fenomen i përkohshëm, por një rrezik i parashikueshëm që kërkon masa konkrete. Ata kërkojnë që puna të përshtatet me realitetin e ri klimatik, duke marrë shembull edhe pushimet për freskim që u përdorën gjatë Kupës së Botës.

Shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se mbi 2.4 miliardë punëtorë në botë janë të ekspozuar ndaj temperaturave të larta, ndërsa çdo vit regjistrohen më shumë se 22 milionë dëmtime të lidhura me punën në kushte të nxehta. OBSH paralajmëron se temperatura e brendshme e trupit nuk duhet të kalojë 38 gradë Celsius gjatë një turni pune tetë orarësh. Ekspozimi afatgjatë ndaj temperaturave të larta mbart rreziqe të konsiderueshme për shëndetin, duke rritur mundësinë e sëmundjeve kardiovaskulare, përkeqësuar sëmundjet e frymëmarrjes dhe duke kontribuar në zhvillimin e problemeve të tjera, si sëmundja kronike e veshkave apo infertiliteti.

Më të rrezikuarit janë punëtorët e ndërtimit, bujqësisë dhe sektorëve të tjerë ku punohet në ambiente të hapura, por edhe të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike. Sindikatat kërkojnë që Bashkimi Evropian të miratojë rregulla të detyrueshme për të mbrojtur shëndetin e punëtorëve, pasi valët e të nxehtit pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike.

The post Konfederata Evropiane e Sindikatave kërkon ligj që përcakton temperaturën maksimale për të punuar appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: