Në Prishtinë shënohet përvjetori i Betejës së Kosovës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Me rastin e shënimit të 637-vjetorit të Betejës së Kosovës, profesori Mentor Hasani dhe studentët e Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, organizuan një aktivitet para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, ku u prezantua një ilustrim i veçantë me titull “Një Betejë, shumë pikëpyetje”.

Beteja e Kosovës është zhvilluar në verën e vitit 1389, qershor. (15 qershor sipas kalendarit Julian (i vjetër, që përdorej në Perandorinë Serbe dhe më vonë në Kishën Ortodokse) korrespondon me 28 qershor sipas kalendarit Gregorian (i ri, që përdoret sot ndërkombëtarisht).

Ajo përbën një nga përballjet më të njohura të Mesjetës Ballkanike dhe u zhvillua ndërmjet dy formacioneve të mëdha ushtarake të kohës: Perandorisë Osmane dhe një aleance të gjerë të popujve ballkanikë (arbërve, serbëve, hungarezëve, boshnjakëve, çekëve, bullgarëve, vllehëve etj). Pas kësaj beteje filloi procesi i zgjerimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të Perandorisë Osmane në Ballkan.

Profesori Mentor Hasani u shpreh se përmes këtij aktiviteti duanë të paraqesin fakte dhe argumente historike për mënyrën se si historiografia, Kisha dhe politika serbe e kanë interpretuar dhe instrumentalizuar Betejën e Kosovës ndër vite.

“Sot, kur shënohet 637-vjetori i Betejës së Parë të Kosovës, përmes këtij ilustrimi po duam t’iu ofrojmë disa fakte dhe argumente se si historiografia serbe, Kisha Serbe në Kosovë dhe politika serbe kanë bërë përpjekje historikisht ta instrumentalizojnë këtë betejë, ta përvetësojnë dhe ta monopolizojnë duke ndërtuar një narrativë në opinionin publik dhe atë akademik se në këtë betejë kanë pasur ndikim ekskluzivisht serbët. Ne jemi këtu për të folur mbi bazën e fakteve dhe për të diskutuar 10 mitet dhe 10 faktet kryesore mbi Betejën e Kosovës, me synimin që në të ardhmen kjo çështje të trajtohet shkencërisht, larg miteve, politikës, ideologjisë dhe religjionit.”, ka shkruar Hasani.

Profesori Mentor Hasani tha se qëllimi i aktivitetit është që Beteja e Kosovës të trajtohet mbi bazën e burimeve historike dhe jo të interpretimeve politike.

“Po shpresojmë që brenda një viti të organizojmë edhe një konferencë shkencore, ku do të kemi mundësi të ballafaqohemi si studiues në mënyrë shkencore, larg miteve, larg gojëdhënave, larg politikës ideologjisë e religjionit, por mbi bazën e fakteve. I ftojmë të gjithë studiuesit që merren me fushën e mesjetës t’i ballafaqojnë idetë, mendimet dhe konceptet mbi këtë betejë.”, tha ai.

Ndërkaq, asistenti Dren Brahimaj përmendi disa nga faktet që janë ndërtuar rreth Betejës së Kosovës.

Koalicioni ballkanik nuk ishte homogjen as në aspektin politik dhe as në atë fetar, tha Brahimaj.

The post Në Prishtinë shënohet përvjetori i Betejës së Kosovës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: