Kosova emëron gruan e parë atashe të Mbrojtjes në Shqipëri, Fatbardha Osaj merr detyrën në Tiranë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka njoftuar se nënkolonelja e FSK-së, Fatbardha Osaj, ka marrë zyrtarisht detyrën si atashe e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës në Shqipëri, me seli në Tiranë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministria bën të ditur se Osaj është gruaja e parë që emërohet në këtë pozitë në Shqipëri.

“Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm institucional, pasi nënkolonele Fatbardha Osaj është gruaja e parë që emërohet në detyrën e atasheut të Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, duke dëshmuar përkushtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës për promovimin e profesionalizmit, meritokracisë dhe barazisë në përfaqësimin ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Emërimi i Osajt vjen në kuadër të përfaqësimit të Kosovës në misionet diplomatike dhe forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë.

Sipas Rregullores për atashetë e Mbrojtjes, atasheu i Mbrojtjes është përgjegjës për bashkërendimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe atë ushtarake në shtetin ku është emëruar.

Rregullorja përcakton se atasheu i Mbrojtjes gëzon imunitet diplomatik, ushtron të drejtat dhe privilegjet e gradës diplomatike të ministrit këshilltar, zhvillon karrierën ushtarake sipas legjislacionit në fuqi dhe është në vartësi organizative të shefit të misionit diplomatik, ndërsa për çështjet operacionale, administrative, financiare dhe ushtarake i përgjigjet ministrit të Mbrojtjes dhe komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Po ashtu, rregullorja parashikon se atasheu i Mbrojtjes mund të ketë staf civil mbështetës lokal, me autorizim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sipas procedurave të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

The post Kosova emëron gruan e parë atashe të Mbrojtjes në Shqipëri, Fatbardha Osaj merr detyrën në Tiranë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: