“Michael” bëhet filmi biografik me fitimet më të larta në histori

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Filmi biografik “Michael”, kushtuar legjendës së muzikës Michael Jackson, ka vendosur një rekord të ri në kinematë botërore, duke u bërë filmi biografik me fitimet më të larta të të gjitha kohërave.

Pas dhjetë javësh në kinema, produksioni i Lionsgate ka grumbulluar 977.4 milionë dollarë në arkën globale, duke lënë pas “Oppenheimer”, i cili kishte përfunduar rrugëtimin e tij me 975.8 milionë dollarë. Filmi vazhdon të shfaqet në disa tregje, përfshirë Japoninë, ndërsa pritet të arrijë së shpejti shifrën historike prej 1 miliard dollarësh në të ardhura.

Vetëm gjatë fundjavës së kaluar, “Michael” arkëtoi 9.2 milionë dollarë, duke e çuar totalin në 370.2 milionë dollarë në Amerikën e Veriut dhe 607.2 milionë dollarë në tregjet ndërkombëtare.

Në rolin kryesor interpreton Jafar Jackson, nipi i Michael Jackson, ndërsa filmi është drejtuar nga Antoine Fuqua. Me këtë sukses, “Michael” ka lënë pas edhe “Bohemian Rhapsody”, i cili mbante rekordin si filmi muzikor biografik më fitimprurës me 911 milionë dollarë të ardhura në mbarë botën.

Nëse kalon kufirin e 1 miliard dollarëve, “Michael” do të bëhet filmi i dytë i vitit 2026 që arrin këtë sukses, pas “Super Mario Galaxy Movie”.

The post “Michael” bëhet filmi biografik me fitimet më të larta në histori appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: