Kur Brazili dhe Japonia të zbresin sonte në fushë për Kupën e Botës 2026, për miliona tifozë kjo nuk do të jetë thjesht një përballje futbolli. Do të jetë rikthimi i një historie që ka shoqëruar fëmijërinë e brezave të tërë: “Oli dhe Benxhi”.
Anime legjendare japoneze, e njohur në mbarë botën si Captain Tsubasa, u ndërtua pikërisht mbi ëndrrën e Japonisë për t’u ngjitur në majën e futbollit botëror. Dhe në atë rrugëtim, pengesa më e madhe ishte gjithmonë Brazili, vendi i futbollit spektakolar, i kampionëve të mëdhenj dhe i idhullit të protagonistit, Roberto Hongo. Në vitin 1981 kur u realizua kjo amine Japonia nuk kishte futboll profesionist, ndërsa më pas seriali u bë frymëzim për të ndryshuar këtë sport në vendin aziatik.
Në histori, Tsubasa rritet me ëndrrën për të luajtur në Brazil, për t’u përballur me futbollistët më të mirë të botës dhe për ta bërë Japoninë një superfuqi të futbollit. Pikërisht për këtë arsye, sa herë që Brazili dhe Japonia ndeshen në realitet, tifozët rikthejnë menjëherë në kujtesë episodet e “Oli dhe Benxhi”.
Rrjetet sociale janë mbushur edhe këtë herë me krahasime mes animes dhe Botërorit, me shumë tifozë që e cilësojnë sfidën e sotme si “ndeshja që e kemi parë që fëmijë”. Edhe pse është vetëm një rastësi artistike, është e pamundur të mos mendosh se krijuesi Yoichi Takahashi kishte imagjinuar dekada më parë pikërisht një duel si ky.
Sonte do të flasë fusha, por për ata që janë rritur me “Oli dhe Benxhi”, Brazili kundër Japonisë do të jetë shumë më tepër se 90 minuta futboll. Do të jetë përplasja mes ëndrrës dhe realitetit. Sa për të theksuar, në serialin në fjalë Japonia fiton ndaj Brazilit me rezultatin 3-2.
Bottom of Form
The post ‘Oli dhe Benxhi’ e parashikuan? Historia e veçantë që e bën Brazil-Japoni më shumë se një ndeshje Botërori appeared first on Euronews Albania.
