Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të përjetojë një rikonstruktim më të thellë me emra të rinj ministrash dhe aktual që ndryshojnë portofol. Pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se partneri i koalicioni VLEN do të marrë drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ku deri tani udhëhiqte kuadër maqedonas nga partia “Znam”, ndërsa do të merr drejtimin edhe të Ministrisë për Marrëdhënie mes Bashkësive që udhëhiqej nga Ivan Stoilkoviç, i kritikuar për afërsi me Serbinë dhe Vuçiçin.
VLEN do të bëjë marrë nga VMRO-DPMNE edhe Ministrinë e Kulturës. Profesori universitar Jeton Shasivari do të propozohet për ministër të Drejtësisë. Zëvendësministri aktual i kulturës Sedat Sulejmani pritet të bëhet ministër në këtë institucion, ndërsa Agon Ferati pritet të emërohet zëvendëskryeministër dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
VLEN do të vazhdojë të drejtojë edhe dikasteret që tashmë i ka në Qeveri: Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë për Çështje Evropiane, si dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. VLEN-i do t’ia kalojë VMRO-së Shëndetësinë, ku do të emërohet drejtori aktual i Fondit Shëndetësor Sasho Klekovski.
Ivan Stoilkoiç do të zhvendoset si ministër i Vetëqeverisjes Lokale ndërsa Erxhan Demir do të jetë ministër pa portofol, përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për përfshirjen e romëve.
Një ndryshim tjetër në strukturën e Qeverisë është shfuqizimi i postit të zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë. Kjo fushë nuk do të funksionojë më si dikaster i veçantë, por do të kalojë drejtpërdrejt nën autoritetin e kabinetit të kryeministrit.
Rikonstruktimi sjell edhe ndryshim në përbërjen e shumicës parlamentare. Deputeti Bejxhan Iljaz, nga Partia Demokratike e Turqve, kalon në grupin e deputetëve të pushtetit duke shtuar numrin e deputetëve të shumicës në 79.
“Para fillimit të mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, së bashku me partinë politike Partia Demokratike e Turqve, arritëm marrëveshje për pjesëmarrjen e saj në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe më tej për pjesëmarrjen e saj në Qeveri me një përfaqësues, ministër pa portofol. Kështu që Qeveria e ruan të njëjtin numër të resorëve, me dallimin se do të kemi dy zëvendëskryeministra më pak, krahasuar me periudhën e kaluar dyvjeçare,” u shpreh kryeministri Mickoski.
Përbërja e re e Qeverisë dhe biografitë e kandidatëve pritet të dorëzohen në Kuvend deri më 3 korrik. Pas kësaj, deputetët duhet të votojnë rikonstruktimin e kabinetit qeveritar.
The post Qeveria e Maqedonisë së Veriut njofton ‘rikonstruktim të thellë’, ja ndryshimet e reja appeared first on Euronews Albania.
