FIFA ka nisur një hetim pas pretendimeve për abuzim racist ndaj influencuesit amerikan të rrjeteve sociale, IShowSpeed, gjatë ndeshjes Argjentinë–Kepi i Gjelbër në Kupën e Botës.
Institucioni i futbollit botëror bëri të ditur se është njoftuar për një incident të dyshuar që ka ndodhur më 3 korrik në stadiumin “Hard Rock” në Miami, ku u zhvillua ndeshja e fazës së 1/16-ës së finales, e fituar nga Argjentina 3-2 ndaj Kepit të Gjelbër.
IShowSpeed, emri i vërtetë i të cilit është Darren Jason Watkins Jr., është një nga figurat më të ndjekura në platformat sociale. 21-vjeçari numëron rreth 57 milionë abonentë në YouTube dhe 53 milionë ndjekës në TikTok. Ai ka transmetuar drejtpërdrejt disa ndeshje të këtij Botërori, ndërsa në transmetimet e tij janë shfaqur edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, si dhe ish-sulmuesi i Barcelonës dhe Milanit, Zlatan Ibrahimoviq.
Në pamjet e publikuara në kanalin e tij në YouTube, influencuesi amerikan shfaqet i veshur me fanellën e Kepit të Gjelbër, teksa përfshihet në një përplasje verbale me një tifoz të Argjentinës në tribunë.
FIFA deklaroi se nuk toleron asnjë formë diskriminimi dhe se kushdo që cenon vlerat e respektit dhe diversitetit nuk është i mirëpritur në futboll.
“Kupa e Botës FIFA është një festë e unitetit, diversitetit dhe respektit. Ajo bashkon njerëz, kultura dhe komunitete nga e gjithë bota dhe kushdo që vepron në një mënyrë që minon këto vlera nuk është i mirëpritur në lojën tonë”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.
Ky rast vjen pak ditë pasi sulmuesi i Francës, Kylian Mbappe, reagoi ndaj deklaratave të një senatoreje nga Paraguai, Celeste Amarilla, të cilat ai i cilësoi si raciste dhe të papërshtatshme.
Senatorja e Partisë Liberale Radikale të Paraguait publikoi komentet e saj në rrjetin social X pas humbjes së Paraguait ndaj Francës në fazën e 1/16-ës së finales së Kupës së Botës.
Federata Franceze e Futbollit ka njoftuar se do të paraqesë kallëzim penal ndaj Amarillas, duke i cilësuar deklaratat e saj si të papranueshme.
The post FIFA nis hetim për pretendimet për abuzim racist ndaj IShowSpeed gjatë Botërorit appeared first on Euronews Albania.
