Eurodeputeti italian, i cili përfaqëson Francën në Parlamentin Evropian, Sandro Gozi, i ka cilësuar skandaloze deklaratat e ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e cila shprehu keqardhje që Kosova nuk u spastrua etnikisht nga shqiptarët.
Ai tha se ministrja serbe “i referohet dhe legjitimon pikërisht atë politikë për të cilën Slobodan Millosheviq u akuzua para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe për të cilën u dënuan zyrtarë të lartë serbë dhe jugosllavë”.
“Në çdo demokraci të bazuar në sundimin e ligjit, deklarata të tilla do të ishin të papajtueshme me ushtrimin e një funksioni publik. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto deklarata dhe të sigurojë shkarkimin e saj të menjëhershëm”, thuhet në deklaratën e Gozit.
Gozi është sekretar i përgjithshëm i European Democratic Party (EDP).
Paunoviç deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviçit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.
The post Deklaratat për spastrimin etnik të Kosovës, eurodeputeti italian Gozi thirrje Vuçiç: Shkarko ministren Paunoviç appeared first on Euronews Albania.
