Kosova fiton medalje të bronztë në debutimin historik të kickboksit në Lojërat Mesdhetare

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kosova ka shënuar një sukses të rëndësishëm në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, ku kickboksi u përfshi për herë të parë në programin zyrtar të kësaj ngjarjeje shumë-sportëshe.

Në mesin e vetëm 10 shteteve mesdhetare pjesëmarrëse në këtë disiplinë, përfaqësuesi i Kosovës, Edmond Sallahu, arriti të fitojë medaljen e bronztë, duke regjistruar rezultatin më të mirë për vendin në debutimin historik të kickboksit në Lojërat Mesdhetare, shkruan KosovaPress.

Delegacioni i Kosovës u përfaqësua nga kryetari i Federatës së Kick-Box-it të Kosovës, Fatmir Makolli, selektori i përfaqësueses, Ilir Menxhiqi, si dhe sportistët Shaban Duraku dhe Edmond Sallahu.

Gjatë qëndrimit në Taranto u zhvillua edhe mbledhja e Bordit të WAKO Mediterranean, ku kryetari i FKBK-së, Fatmir Makolli, paraqiti zyrtarisht kandidaturën e Kosovës për organizimin e Kampionatit Mesdhetar të Kickboksit për vitin 2027 në Prishtinë.

Sipas Federatës së Kick-Box-it të Kosovës, kandidatura e vendit është pritur pozitivisht dhe ekzistojnë gjasa të mira që organizimi i kampionatit t’i besohet Kosovës. Vendimi përfundimtar pritet të merret gjatë javëve në vijim.

The post Kosova fiton medalje të bronztë në debutimin historik të kickboksit në Lojërat Mesdhetare appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: