Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe 34 të tjerë mbetën të plagosur pasi një autobus me turistë u përplas me një kamionçinë dhe dy automjete në rrugën Terni-Rieti, në Italinë qendrore.
Aksidenti ndodhi të dielën në mbrëmje, pranë kufirit mes rajoneve të Umbrisë dhe Lazios. Presidentja e rajonit të Umbrias, Stefania Proietti, bëri të ditur se gjashtë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa dy të tjerë kanë marrë lëndime të rënda.
Proietti e cilësoi ngjarjen si një emergjencë “katastrofike” me shumë viktima, duke theksuar se protokollet rajonale të emergjencës u aktivizuan menjëherë pas njoftimit të parë.
Sipas autoriteteve, autobusi po transportonte turistë drejt ujëvarave Marmore, një prej destinacioneve më të njohura turistike në Itali.
Të plagosurit u transportuan për mjekim në spitalet e Ternit, Perugias, Spoletos, Folignos dhe Rietit, ndërsa pasagjerët që shpëtuan pa lëndime u strehuan përkohësisht në Terni.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
The post Aksident tragjik në Itali, gjashtë të vdekur, 34 të plagosur appeared first on Euronews Albania.
