Dënimi i krerëve të UÇK-së është një asist për presidentin serb Aleksandar Vuçiç, pikërisht në momentin kur ai ndodhet në fushatë zgjedhore. Kështu u shpreh gazetari Berat Buzhala në emisionin “Review” me Greta Topjanën, duke argumentuar se Serbia synon ta shfrytëzojë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për të nisur një fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Sipas Buzhalës, dënimet janë reflektim i lobimit të fuqishëm serb në qendra të ndryshme botërore, ndërsa theksoi se Vuçiçi po e përdor tashmë çështjen e Hagës në fushatën e tij zgjedhore.
“Këto dënime janë reflektim i lobimit të fuqishëm serb në qendra të ndryshme botërore. Aktualisht Serbia, nëse s’gaboj, zgjedhjet i ka muajin tetor. Kurse zoti Vuçiç, i cili nuk ishte në pozitën më të mirë të mundshme politike për shkak të protestave dhe gjërave, trazirave që i kishte në Serbi, aktualisht po e përdor rastin e Hagës në kampanjën e vet zgjedhore. Pra, kjo ishte një favor që i bën Vuçiçit, një favor politik. Edhe ai po thotë: ‘A shihni, tash e nis kampanjën tjetër për iniciimin e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës’. E çka po bëjmë ne? Nuk po bëjmë asgjë. Çfarë po bën Kosova? Unë personalisht kam thënë këtë herë që aktakuzat me të cilën po përballen Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk janë të bazuara në ligj”, tha ai.
The post Vendimi i Hagës, asist për Vuçiçin, Buzhala: Serbia do të nisë fushatë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës appeared first on Euronews Albania.
