Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” hyjnë në fazën operative, mbahet takimi i parë i Komitetit Organizativ

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Takimi i parë i Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare, “Prishtina 2030” është mbajtur këtë të mërkurë në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Takimi shënon fillimin e punës institucionale për ngjarjen më të madhe sportive të organizuar në Kosovë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e quajti projektin një mundësi historike për ta prezantuar vendin përpara botës.

“Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ janë projekti më i madh ndërkombëtar që i është besuar ndonjëherë Kosovës dhe një mundësi historike për ta prezantuar vendin tonë para botës. Kemi përgjegjësi të madhe, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme. Koha nuk pret. Çdo ditë duhet të shfrytëzohet për planifikim, koordinim dhe vendimmarrje. Prishtina do të vazhdojë të përmbushë çdo obligim të saj me përgjegjësi, profesionalizëm dhe përkushtim”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë shtetërore të projektit.

“Sot në Qeverinë e Republikës së Kosovës mbajtëm takimin e parë me Komitetin Organizativ për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, një prej projekteve më të rëndësishme që vendi ynë do të realizojë në vitet e ardhshme. Për herë të parë, Republika jonë do të mirëpresë një ngjarje sportive të kësaj përmase, duke sjellë së bashku sportistë, delegacione dhe partnerë nga vende të ndryshme të Mesdheut.”

Lojërat priten të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030 ku mbi 3.500 sportistë do të zbarkojnë në Kosovë për Lojërat Mesdhetare.

The post Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” hyjnë në fazën operative, mbahet takimi i parë i Komitetit Organizativ appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: