Kurti: Nuk kemi marrëveshje me LDK-në, Presidenti duhet të jetë konsensual

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk solli përparim drejt një marrëveshjeje për konstituimin e institucioneve të Kosovës.

Kurti tha se aktualisht nuk ka një dakordësi me LDK-në dhe theksoi se çdo marrëveshje duhet të pasqyrojë rezultatin e zgjedhjeve dhe vullnetin e qytetarëve.

“Nuk kemi marrëveshje me LDK-në. Marrëveshja duhet të reflektojë vullnetin e popullit. Ne kemi 53 deputetë, LDK-ja i ka 18. Ata nuk i kanë as 30 deputetë për nënshkrime. Ka shpërputhje mes ambicieve të tyre dhe rezultatit”, deklaroi Kurti.

Duke folur për çështjen e Presidentit të Kosovës, kreu i Vetëvendosjes u shpreh se ai duhet të jetë një figurë konsensuale dhe jo domosdoshmërisht përfaqësues i një partie.

“Le të mos zgjedhim President partiak, por konsensual. Nëse duhet partiak, e propozojmë ne sepse kemi fitore të jashtëzakonshme”, tha Kurti.

Deklaratat e tij vijnë pas takimit me Abdixhikun, i cili më herët deklaroi se palët janë ende larg një marrëveshjeje dhe se një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjes lidhet me pozicionin e Presidentit.

The post Kurti: Nuk kemi marrëveshje me LDK-në, Presidenti duhet të jetë konsensual appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: