Seanca konstituive vazhdon të shtunën, PDK: Po shkelet Kushtetuta, s’do të rrimë duarkryq

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Partia Demokratike e Kosovës shprehur shqetësimin, për atë që e ka cilësuar “shkelje të radhës të rendit kushtetues nga Lëvizja Vetëvendosje”, e cila sipas saj, “refuzoi të respektojë afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë: Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon sonte. Në vend të respektimit të këtij detyrimi kushtetues, shumica parlamentare zgjodhi ta shpërfillë vendimin e Gjykatës dhe, përmes deputetit më të vjetër si kryesues i seancës solemne, e caktoi vazhdimin e seancës për nesër, pasi afati të ketë skaduar”, shkroi PDK në një komunikatë për media pak çaste pasi nga Kuvendi u bë e ditur se seanca konstituive vazhdon të shtunën nga ora 11.

Duke pohuar se “e kundërshton fuqishëm këtë veprim, i cili nuk është vetëm shkelje e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit ligjor”, PDK zotohet se “ashtu si në çdo rast kur është cenuar rendi kushtetues, edhe kësaj radhe PDK nuk do të qëndrojë duarkryq”.

“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të ligjit. Nuk ka demokraci funksionale aty ku vullneti i një partie vendoset mbi Kushtetutën e Kosovës. Për fat të keq, sot Albin Kurti sërish zgjodhi pikërisht këtë rrugë”, përfundon komunikata e PDK.

The post Seanca konstituive vazhdon të shtunën, PDK: Po shkelet Kushtetuta, s’do të rrimë duarkryq appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: