FIFA i përgjigjet ashpër sulmit ndaj Infantinos

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) iu përgjigj kritikave gjithnjë e më të forta drejtuar Presidentit Gianni Infantino, duke vlerësuar se ekziston një “përpjekje e koordinuar dhe e vazhdueshme” për të dobësuar vetë organizatën dhe njeriun e saj të parë. 

Infantino është vënë nën presion në rritje nga futbolli evropian ditët e fundit. Kritikat erdhën nga UEFA dhe disa shoqata evropiane, ndërsa presidentja e Shoqatës Norvegjeze të Futbollit, Lise Klavenes, shkoi një hap më tej dhe i bëri thirrje publikisht Infantinos të jepte dorëheqjen.

Megjithatë, FIFA vendosi të mbështeste qartë presidentin e saj dhe tha se atij iu dha pozicioni bazuar në vendimin e shoqatave anëtare.

“Është gjithnjë e më e qartë se ekziston një përpjekje e organizuar për të minuar organizatën dhe presidentin e saj, Gianni Infantino”, tha FIFA në një deklaratë.

Nga shtëpia botërore e futbollit, ata theksuan se Infantino u zgjodh në mënyrë demokratike dhe se mandati i tij vazhdon.

“Presidenti i FIFA-s u zgjodh në mënyrë demokratike nga shoqatat anëtare dhe ai vazhdon të kryejë detyrat e tij bazuar në mandatin e tyre”, thuhet në deklaratë.

Në të njëjtën kohë, FIFA u dërgoi një mesazh të qartë atyre që sfidojnë udhëheqjen aktuale. Organizata thotë se ndryshimet politike dhe institucionale duhet të zbatohen përmes procedurave ekzistuese dhe jo përmes akuzave publike.

“Ata që nuk kanë mbështetjen e shoqatave anëtare nuk duhet, nëpërmjet akuzave, aludimeve ose dezinformatave, të përpiqen të arrijnë atë që nuk mund ta bëjnë nëpërmjet procedurave të përcaktuara demokratike të organizatës”, përfundonte deklarata.

The post FIFA i përgjigjet ashpër sulmit ndaj Infantinos appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: