Marrëveshja LVV-LDK, Dehari cakton 9 shtatorin për vazhdimin e seancës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka njoftuar se vazhdimi i saj do të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00.

Dehari, i cili si deputeti më i vjetër i legjislaturës së 11-të drejton seancën konstitutive, tha se vendimin e ka marrë pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai tha se ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve.

“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, shkroi Dehari.

Ai u bëri thirrje deputetëve që deri atëherë të tregojnë gatishmëri për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese.

“Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese. Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, shkroi Dehari, transmeton KosovaPress.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës deri më tani janë mbledhur dy herë në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së re, por seancat janë shtyrë.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte kërkuar kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike lidhur me çështjen e presidentit të vendit.

The post Marrëveshja LVV-LDK, Dehari cakton 9 shtatorin për vazhdimin e seancës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: