Kuvendi i Kosovës ka vijuar procesin e konstituimit, pavarësisht tërheqjes së PDK-së nga seanca dhe heqjes së kandidaturës së Vlora Çitakut për postin e nënkryetares.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, u zgjodh nënkryetar i Kuvendit me 75 vota pro.
Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, deklaroi se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”, duke bërë të ditur se procesi do të vijonte me propozimet e LDK-së.
Ndërkohë, procesi është bllokuar te përfaqësimi i Listës Serbe. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së votuan kundër kandidaturës së Igor Simiqit për postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Më herët, Tanja Vujovic ishte votuar për nënkryetare nga Lista Serbe, ndërsa kjo parti ka të drejtë t’i paraqesë kandidatët e saj deri në tri herë.
Pavarësisht përplasjes rreth këtyre kandidaturave, kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, e konsideroi Kuvendin të konstituar.
The post Kujtim Shala zgjidhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës appeared first on Euronews Albania.
