Një video e publikuar së fundmi rikthen në vëmendje qëndrimin e Rexhep Selimit në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, kur deputetët po shqyrtonin ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Në pamje, Selimi i drejtohej asokohe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, duke i kërkuar që të mos lejonte votimin e rezolutës për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Do t’i biem pishmanit, por do jetë vonë”, shprehej Selimi nga foltorja e Kuvendit.
“Kjo rezolutë është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Kjo rezolutë është kundër Pavarësisë së Kosovës. Mos e lejoni. Sot është mëngjesi më i rëndësishëm për Kosovën, mos e lejoni, sepse edhe ju edhe ne do t’i biem pishmanit, por do të jetë vonë”, deklaronte ai.
Pavarësisht kundërshtimeve dhe debateve të ashpra politike, më 3 gusht 2015 Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Amendamentet u miratuan me 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim.
Votimi i asaj dite ishte një nga vendimet më të rëndësishme dhe më të debatuara të pasluftës në Kosovë. Institucioni i krijuar pas këtij procesi do të merrte vite më vonë në gjykim disa prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mes tyre ishte edhe vetë Rexhep Selimi, i cili u arrestua në nëntor 2020 dhe u transferua në Hagë së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.
Sot, më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale shpalli aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Dënimet përfshijnë edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Në aktgjykim, trupi gjykues i gjeti të katër të akuzuarit penalisht përgjegjës për krime lufte që lidhen me ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturën e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave. Ata u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi Prokuroria Speciale nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm se kishte pasur një sulm të gjerë ose sistematik ndaj popullsisë civile.
The post “Do t’i biem pishmanit, por do jetë vonë”/ Momenti kur Rexhep Selimi i lutej Jakup Krasniqit kundër Gjykatës Speciale appeared first on Euronews Albania.
