Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka provuar se ndaj të paktën 385 personave është kryer krimi i luftës i arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm.
Gjyqtari Charles Smith po vijon leximin e konstatimeve të trupit gjykues lidhur me krimet e përfshira në aktakuzë.
Sipas konstatimeve të paraqitura në seancë, shumë prej personave të ndaluar janë rrahur rëndë, deri në atë pikë sa nuk kanë qenë në gjendje të qëndronin në këmbë. Gjykata ka konstatuar gjithashtu se disa të ndaluar kanë humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së.
Gjyqtari Smith tha se të ndaluarit kanë përjetuar edhe vuajtje të konsiderueshme psikologjike.
“Trupi gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilën viktimat u ndaluan dhe u arrestuan, pa dhënë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe duke iu mohuar çdo formë e gjykimit të rregullt, tregon se disa prej anëtarëve të përfshirë synonin arrestimin dhe ndalimin e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit të rregullt”, deklaroi Smith.
Sipas gjyqtarit, trupi gjykues ka konstatuar se pjesëtarë të UÇK-së, në qendra të ndryshme ndalimi në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore, krijuan, kontribuuan në krijimin dhe i mbajtën të ndaluarit në kushte çnjerëzore.
Të ndaluarit, sipas gjykatës, janë mbajtur në ndërtesa të ndryshme, përfshirë edhe shkolla.
Smith tha gjithashtu se shumë prej pjesëtarëve të UÇK-së të përfshirë në ndalime i kanë keqtrajtuar fizikisht të burgosurit.
“Në vende të ndryshme, anëtarët e UÇK-së i godisnin rregullisht me shkelma dhe i rrihnin brutalisht dhe vazhdimisht të ndaluarit, duke përdorur, ndër të tjera, qytat e pushkëve dhe shkopinj të ndryshëm”, tha gjyqtari Smith.
Trupi gjykues po vijon paraqitjen e konstatimeve për akuzat ndaj të akuzuarve.
The post Haga për ish-krerët e UÇK-së: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i të paktën 385 personave appeared first on Euronews Albania.
