Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në fjalën hyrëse, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, bëri një ndarje të qartë mes procesit ndaj të akuzuarve dhe luftës së UÇK-së në Kosovë.
“Ne po gjykojmë disa persona për përgjegjësi individuale dhe nuk jemi duke gjykuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Smith.
Gjyqtari paraqiti më pas funksionet që, sipas Prokurorisë, kanë mbajtur katër të akuzuarit gjatë periudhës së luftës.
Hashim Thaçi përshkruhet si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, shef i Drejtorisë Politike dhe kryekomandant i UÇK-së, ndërsa Kadri Veseli si shef i Drejtorisë së Zbulimit.
Rexhep Selimi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa Jakup Krasniqi anëtar i këtij shtabi, zëdhënës dhe zv/komandant i UÇK-së, sipas përshkrimit të gjykatës.
Në qendër të procesit janë gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë përgjegjësi për trajtim mizor të civilëve dhe për krime të kryera ndaj personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Sipas aktakuzës, veprimet dhe mosveprimet për të cilat akuzohen të pandehurit lidhen me strukturat dhe veprimtarinë e UÇK-së gjatë konfliktit në Kosovë.
Të katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.
The post Seanca e vendimit në Hagë për ish-krerët të UÇK-së, kryegjyqtari: Nuk po gjykojmë luftën por përgjegjësinë individuale appeared first on Euronews Albania.
