Senatorja amerikane Jeanne Shaheen ka thënë se Moska e sheh Ballkanin, ku përfshihet edhe Kosova, si një front të mundshëm për destabilizim, pas atij në Ukrainë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo ka ngritur shqetësime për lidhjet e Serbisë dhe të serbëve në Republikën Sërpska me Rusinë, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet të bëjnë gjithçka për ruajtjen e stabilitetit në rajon.
“Shqetësimi është lidhja që Serbia dhe serbët në Republikën Sërpska kanë me Rusinë, si dhe interesi i tyre për destabilizimin e rajonit”, deklaroi Shaheen, për RFE, transmeton KosovaPress. “Rusia e sheh këtë si një front të dytë të mundshëm. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ruajtur stabilitetin në rajon”.
Ajo shtoi se duhet t’i bëhet e qartë Rusisë se zhvillimet në Ballkan po përcillen nga afër dhe me shumë kujdes edhe në aspektin ushtarak, nga ana e SHBA-së, duke përmendur këtu praninë e NATO në Kosovë dhe atë të BE-së në Bosnjë.
“Ne kemi prani të NATO-s në Kosovë. Kemi misionin EUFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë. Duhet të sigurohemi që rusët ta dinë se këto forca janë në gatishmëri të lartë dhe po përcjellin atë që ndodh”, deklaroi Shaheen.
Senatorja amerikane foli edhe për veprimtarinë ruse në krahun lindor të NATO-s. Sipas saj, Moska nuk po i teston vetëm shtetet baltike, por edhe Poloninë.
Ajo pretendoi se Serbia kishte shërbyer si pikë ndalimi për persona të lidhur me një incident në aeroportin Leipzig/Halle të Gjermanisë.
“Sot patëm një seancë dëgjimore në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë. Një nga çështjet e ngritura ishte se Serbia ka shërbyer si pikë ndalimi për rusët, kur ata kryen sulmin në Leipzig. Më pas, ata u kthyen në Serbi”, tha Shaheen.
Autoritetet gjermane po hetojnë përfshirjen e dyshuar të inteligjencës ruse në incidentin me dron, i regjistruar gjatë gushtit në aeroportin Leipzig/Halle. Mediat gjermane kanë raportuar se një i dyshuar kishte udhëtuar më pas drejt Serbisë, raporton RFE.
Shaheen kërkoi veprime më të gjera kundër luftës hibride ruse.
“Duhet të sigurohemi se po e luftojmë këtë luftë hibride kudo që mundemi. Kjo nuk është vetëm në interesin e Amerikës, por edhe të aleatëve tanë evropianë”, tha ajo.
The post Senatorja amerikane Shaheen: Rusia e sheh Ballkanin si front të dytë, NATO në Kosovë është gatishmëri të lartë appeared first on Euronews Albania.
