21.5 mln euro/km që do të financohet plotësisht nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, Milot-Balldre është një ndër koncesionet më të shtrenjta, i përgatitur dhe rishikuar gjatë kohës kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë drejtohej nga Belinda Balluku. Jo vetëm kostot e ndërtimit që qëndrojnë të larta, por çfarë ngre pikëpyetje nga ky koncesion është më shumë operimi dhe mirëmbajtja e rrugës dhe tarifat e kalimit.
Rezulton se vetëm për mirëmbajtjen për 17 kilometra do të paguhet një vlerë prej 83.4 milionë euro. Por kjo vlerë rezulton më e lartë se kostot e kontratave të zakonshme të Ministrisë së Infrastrukturës. Në një mesatare, vlera për 17 kilometër e mirëmbajtjes së koncesioneve të tilla të realizuara më parë varion nga 5-5.4 mln euro.
Duke bërë që fatura e mirëmbajtjes e Milot-Balldre të jetë rreth 15 herë më e shtrenjtë, pra 83.4 mln euro. Sipas ekspertëve, këtu qëndron problemi i faturave të përllogaritura të koncesionit, të cilët thonë se janë kostot ato që duhet të zbardhen për të kuptuar nëse vlera është ndërtuar mbi nevoja dhe përllogaritje reale.
“Mënyra se si manipulohen janë të ndryshme, por kryesorja është përmes caktimit të kritereve të pjesëmarrësve në mënyrë selektive. Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka lëvizur nga vendi që ka pasur, si të thuash, korrupsion, te vendi që ka pasur korrupsion sistemik. Dhe Shqipëria sot, të paktën për sa i përket prokurimeve publike, nuk është më një ekonomi tregu, në kuptimin që nuk mund të konkurrosh në sektorin e tenderave dhe të fitosh. Domethënë, çdo prokurim publik duket se është i manipuluar që në themel”, tha eksperti i ekonomisë Gjergji Erebara.
Por kjo faturë e kripur nuk lindi sot, vetë ish-ministrja e linjës Belinda Balluku në 2025 deklaronte se vinte si rezultat i ndryshimit të mënyrës së financimit. Por pikëpyetjet shkojnë më tej se fatura e mirëmbajtjes dhe operimit. Gara e dytë e këtij koncesioni përfundoi me tre oferta me të njëjtën vlerë 364.7 milionë euro.
Dy u skualifikuan dhe fituesi mori 93 pikë. Nëse çmimi ishte i njëjtë, cilat ishin kriteret që bënë diferencën? Ekspertët ngre pikërisht problemin e kritereve që mund të kufizojnë konkurrencën dhe të ndikojnë në përcaktimin e fituesit.
“Shqipëria nuk është më një ekonomi tregu. Mungesa e pjesëmarrësve të huaj në koncesione, në garat për koncesione të mëdha. Mungesa e kontraktorëve të huaj. Po të mbani mend, në kohët e vjetra vinin kompani austriake dhe konkurronin në Shqipëri për ndërtimin e rrugëve. Tani ke faktin që nuk ke absolutisht asnjë kompani të huaj. Për dekada… për një dekadë të tërë. Që të vijë në Shqipëri të fitojë tenderin e ndërtimit të rrugës… Kjo të tregon, domethënë, që nuk je më ekonomi tregu”, tha eksperti i ekonomisë Gjergji Erebara.
Jo vetëm njëherë, por dyfish pagesë nga qytetarët. Rruga e “artë” që do të lidhë veriun e Shqipërisë me pjesën tjetër të vendit, do t’i detyrojë qytetarët të paguajnë drejtpërdrejt edhe nga kuleta, jo vetëm nga taksat e korrura deri më tani. Sipas dokumenteve të tenderit, qeveria ka vendosur se tarifa referencë e kalimit në segmentin Milot-Balldre do të jetë 0.12 euro për çdo kilometër.
Kjo do të thotë se për 17 kilometrat e rrugës automjetet e thjeshta do të paguajnë 2.04 euro për çdo kalim. Kjo e bën këtë aks një nga më të shtrenjtët në Europë, ndërkohë që edhe në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian, tarifat e kalimit janë 0.07 euro për kilometër ose gati dy herë më lirë.
“Rruga e Kombit, te autostrada Milot-Thumanë, Thumanë-Kashar, duke vajtur te kjo kontratë koncesionare Milot-Balldre. Të gjitha këto janë kosto absurde që i ngarkohen qytetarit shqiptar, ndërkohë që, si të thuash, rrugët kryesore të vendit janë gjithë gropa, rrugët janë të pamjaftueshme, hyrje-daljet e qyteteve janë një makth, trafiku është një makth. Të gjitha këto trafiqe dhe kjo si pasojë e keqpërdorimit, keqmenaxhimit dhe korrupsionit sistemik në tendera”, tha eksperti i ekonomisë Gjergji Erebara.
Kjo kosto praktikisht e bën kryeqytetin një destinacion të ndaluar për qytetarët e veriut. Ndërsa jugu i vendit do të jetë pa diskutim më i shtrenjtë se sa udhëtimi jashtë shtetit.
Në fund, kjo nuk është vetëm një rrugë që qytetarët do ta paguajnë me taksat e tyre, por edhe sa herë të vendosin të kalojnë mbi të. Një faturë që nis me qindra milionë euro për ndërtimin, vijon me miliona të tjera për operimin e mirëmbajtjen dhe përfundon te pagesa në çdo kalim. Rruga po shkurton kilometrat, por duket se nuk shkurton aspak faturën për qytetarët.
gijotina.com/
The post Fatura e kripur e Milot-Balldren, 15 herë më e lartë se koncesionet e tjera, tarifë më e lartë për kalimit appeared first on GIJOTINA.
