Kombëtarja shqiptare këtë të hënë ka nisur grumbullimin për katër ndeshjet e radhës në kuadër të UEFA Nations League. Kuqezinjtë, të drejtuar nga trajneri Rolando Maran, zhvilluan pasditen e sotme seancën e parë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.
Në këtë seancë morën pjesë 26 lojtarë. Futbollistët që kishin luajtur ndeshje me klubet e tyre gjatë fundjavës zhvilluan një seancë rikuperimi, ndërsa pjesa tjetër e grupit iu nënshtrua një programi të kombinuar me ushtrime taktike dhe punë në palestër.
Ivan Balliu pritet t’i bashkohet skuadrës gjatë mbrëmjes, ndërsa mesfushori Feta Fetai, i cili zëvendëson Qazim Laçin e dëmtuar, pritet të bashkohet ekipit në orët në vazhdim.
Sakaq, Departamenti i Komunikimit bën me dije se mesfushori Adrion Pajaziti ka pësuar një dëmtim në muskujt e kofshës së djathtë gjatë ndeshjes së fundjavës me klubin. Futbollisti është paraqitur sot në grumbullim dhe iu nënshtrua vizitave mjekësore dhe bëri një rezonancë magnetike.
Analizat konkluduan se shkalla e dëmtimit e bën ta pamundur që Pajaziti të jetë i disponueshëm për ndeshjet e Kombëtares dhe se i duhen rreth 3 javë për t’u rikuperuar. Kësisoj, mesfushori do të rikthehet në klub për të vijuar rikuperimin dhe në vendin e tij është ftuar lojtari i Dinamo City, Klevi Qefalija, i cili do të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Maran.
Kombëtarja do të vijojë përgatitjet ditën e nesërme, me skuadrën që do të zhvillojë një tjetër seancë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, duke nisur nga ora 16:00.
The post UEFA Nations League, kombëtarja zhvillon stërvitjen e parë! Qefalia zëvendëson Pajazitin e dëmtuar appeared first on Euronews Albania.
