Edhe këtë të hënë u mbajtën protesta në Kosovë, në natën e gjashtë radhazi pas dënimit në Hagë të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga Prishtina, gazetari i Euronews, Xhemajl Rexha, raporton se mbledhja e protestuesve nis në orën 21:00 çdo ditë, duke shtuar se pjesëmarrja dhe mbështetja për katër ish-krerët e UÇK-së është e lartë.
Rexha solli gjithashtu në vëmendje idenë kryesore të protestës, e cila, sipas tij, është që vendimi i Gjykatës Speciale dhe tematika e ngjarjes të mos hiqen nga qendra e vëmendjes.
“Çdo natë mblidhen në orën 21:00, ka disa fjalime, tre-katër individë. Vazhdimisht thuhet që ky tubim është jopartiak. Është me të vërtetë një protestë shumë e bukur, sepse ka shumë njerëz, pjesëmarrje, ka shumë mbështetje për katër ish-krerët e UÇK-së dhe ideja kryesore e kësaj proteste është që kjo temë të mos hiqet nga qendra e vëmendjes, që të vazhdojë të diskutohet e të mos lihen vetëm ata që janë atje”, u shpreh ai.
Lidhur me diskutimet dhe qëndrimet e partive politike mbi vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, Rexha tregon se PDK-ja ka propozuar ndryshimin e ligjit, duke pasur mbështetjen e partisë “Aleanca”, ndërsa, sipas tij, përkrahja e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj propozimit të PDK-së është e domosdoshme, pasi duhen 40 nënshkrime për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme dhe aktualisht nënshkrimet janë të pamjaftueshme.
“Në PDK, gjatë ditës kur e kanë propozuar ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, kanë shprehur gatishmërinë që ta tërheqin ligjin, vetëm se mund të jetë shumë vonë. Gjykata Kushtetuese ka thënë që po e shqyrton, por Vetëvendosje thotë që do ta presë vendimin dhe gjithashtu propozimin e PDK-së do ta shqyrtojë me shumë kujdes, para se të vendosë nëse do ta përkrahë. Gjatë ditës, Aleanca e ka përkrahur iniciativën e PDK-së. Për këtë duhen edhe 40 nënshkrime për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme dhe është kruciale përkrahja që do duhej ta jepte Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
The post Nata e gjashtë e protestave në Kosovë, Rexha: Mbështetja për ish-krerët e UÇK-së vazhdon appeared first on Euronews Albania.
