Vora U-17 është shpallur kampione për sezonin 2025-2026, pas fitores 2-1 ndaj Partizanit U-17 në ndeshjen vendimtare të sezonit, të zhvilluar në fushën e skuadrës vorake.
Takimi final i kampionatit dhuroi emocione deri në sekondat e fundit, me dy skuadrat që hynë në këtë përballje me pikë të barabarta në renditje. Falë suksesit të arritur, Vora U-17 siguroi titullin kampion në një sfidë të luftuar deri në fund.
Skuadra e Vorës kaloi në avantazh në minutën e 9-të me golin e Cejkut, ndërsa Partizani riktheu baraspeshën në minutën e 65-të me Himallarin. Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Caka realizoi golin vendimtar në minutën e 87-të, duke i dhënë Vorës fitoren dhe trofeun e kampionit.
Në përfundim të takimit u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut, ku anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Gjergji Petro, i dorëzoi skuadrës së Vorës U-17 medaljet dhe titullin kampion.


The post Vora U-17 mposht Partizanin dhe fiton titullin kampion appeared first on Euronews Albania.
