18 minatorë mbeten të ngujuar në minierën e Trepçës pas ndërprerjes së energjisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Rreth 18 minatorë kanë mbetur të ngujuar në minierën e Trepçës në Kosovë, si pasojë e një ndërprerjeje të furnizimit me energji elektrike që ka paralizuar punën në thellësi të minierës.

Sipas njoftimit zyrtar të ndërmarrjes “Trepça Sh.A.”, fillimisht në momentin e incidentit në minierë kanë qenë të angazhuar gjithsej 47 punëtorë, të cilët kishin hyrë në punë më 13 maj 2026 në orën 23:00. Prej tyre, 29 punëtorë kanë arritur të dalin në mënyrë të sigurt, ndërsa 18 të tjerë kanë mbetur të bllokuar për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Ndërprerja e furnizimit ka ndodhur rreth orës 01:30 të datës 14.05.2026, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV. Sipas sqarimeve nga terreni, një përcjellës i linjës është shkëputur, duke dëmtuar izolatorët dhe shkaktuar djegie dhe gjithashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet përcjellëse të trafostacionit.

Autoritetet e ndërmarrjes bëjnë të ditur se të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt dhe se ekipet teknike së bashku me skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar menjëherë në terren për rikthimin e furnizimit me energji.

Sipas Trepçës, pjesa e mbetur e minatorëve pritet të evakuohet në mënyrë të sigurt brenda një afati kohor prej rreth dy orësh, ndërsa situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

The post 18 minatorë mbeten të ngujuar në minierën e Trepçës pas ndërprerjes së energjisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: