Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të mblidhet ditën e martë, më datë 23 shtator ku këshilltarët socialistë të Këshillit Bashkiak do të bëjnë kërkesën për shkarkimin e Erion Veliajt me arsyetimin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në krye të detyrës, duke ju referuar pikës c, neni 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”.
Vendimi u mor në një mbledhje të këshilltarëve socialistë të bashkisë, që u mbajt në selinë e Partisë socialiste. Ky është hapi i parë zyrtar i PS-së për nisjen e procedurave për shkarkimin e Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti. Pas nisjes së procedurave nga Këshilli Bashkiak, do të jetë Këshilli i Ministrave që do të vendosë për shkarkimin e kryetarit të bashkisë. Pas kësaj, Veliaj do të ketë 15 ditë kohë ta ankimojë vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilltarët socialistë të Bashkisë u vunë në lëvizje pasi kryeministri Edi Rama deklaroi në Asamblenë e PS-së, se kryeqyteti nuk mund të priste më asnjë ditë për punët që duhen bërë dhe njoftoi se do nisnin procedurat për shkarkimin e Veliajt. Ai gjithashtu, propozoi që në garë si kandidatja e PS-së për kryebashkiake të ishte Ogerta Manastirliu.
R E L A C I O N
“PËR
PROPOZIMIN E SHKARKIMIT TË KRYETARIT TË BASHKISË TIRANË,
Në vijim të mbledhjes së grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, datë 17 shtator 2025, ora 17:00, kërkesa nr.31879 prot., datë 18 shtator 2025, është depozituar pranë Sekretariatit të Këshillit Bashkiak Tiranë.
Kërkesa e firmosur nga grupi i këshilltarëve, i referohet Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, neni 62 gërma c, ku thuhet: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”.
Në kërkesën e sipërcituar, nënvizohet fakti se nga data 10 shkurt 2025 jemi në kushtet në të cilat kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur dhe të mandatuar nga populli i Kryeqytetit për shkak të procesit penal dhe mohimit të së drejtës së tij të gjykimit në gjëndje të lirë. Qytetit të Tiranës me një zhvillim të pandalshëm ekonomik e social, i duhet një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve, ndaj kjo ka nxjerrë si domosdoshmëri ndërmarrjen e iniciativës nga ana e grupit të këshilltarëve të majtë, për të nisur procedurat për shkarkimin e kryetarit aktual, si një detyrim ligjor, politik dhe moral ndaj qytetarëve, që kanë votuar për të patur një Tiranë më të zhvilluar, me më tepër shërbime cilësore dhe të denjë për të qenë kryeqyteti i Shqipërisë në fundin e rrugës së saj për të qenë pjesë e Europës.
Arsyet dhe nevoja e mësipërme nuk duhet të interpretohen si një pranim ndaj konstantimeve apo pretendimeve të procesit penal ndaj Kryetarit të zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës, por krejt e kundërta. Anëtarët e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës ngrihen në nivelin që qytetarët e Tiranës presin nga të zgjedhurit e tyre, atë të marrjes së vendimeve dhe dhënien e zgjidhjeve në dobi të interesit publik dhe atij qytetar.
Sa më sipër, lutemi në shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektakti.
The post Zbardhet relacioni i këshilltarëve të PS: Këto janë arsyet për shkarkimin e Veliajt appeared first on Lapsi.al.
