Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Nga The Telegraph/ Një gabim i Ministrisë së Brendshme Britanike nën drejtimin e Yvette Cooper ka ndaluar ekstradimin e një grupi të dyshuar për vrasje në Shqipëri. Biznesmeni shqiptar Ardian Nikulaj u qëllua për vdekje në hotelin me 5 yje që zotëronte në Shëngjin, një vendpushim i njohur në Ballkan, në prill të vitit 2023.
4 mbajtës të pasaportave britanike u arrestuan më vonë në Mbretërinë e Bashkuar pasi një urdhër arresti ndërkombëtar u lëshua në Shqipëri. Edmond Haxhia, i cili ka dy shtetësi, shqiptare dhe britanike, akuzohet për rekrutimin e dy burrave dhe një gruaje për organizimin e ekzekutimit.
Banda, përfshirë Haxhian, 38 vjeç, dyshohet se udhëtoi për në Shëngjin dhe monitoroi lëvizjet e Nikulajt përpara se një person i armatosur, Ruben Saraiva, 27 vjeç, ta qëllonte atë me një armë gjysmë-automatike ruse TT.

Ekspertët e krimit kanë thënë se ishte shumë e pazakontë që një ekip me bazë në Britani të dyshohej se u punësua për të ndihmuar në kryerjen e një vrasjeje në Shqipëri.
Ekstradimi i tyre në vendin ballkanik u miratua nga gjykata e magjistratëve të Westminster në gusht 2024, përpara se të nënshkruhej nga znj. Cooper, sekretarja e atëhershme e brendshme.
Megjithatë, procesi u ndalua pasi një zyrtar shkroi akuzën e gabuar në dokumentet e nënshkruara nga znj. Cooper. Gabimi nënkuptonte që tre prej tyre u akuzuan për “vrasje”, në vend të “vrasjes me paramendim”.
Në një letër drejtuar ambasadës shqiptare, të parë nga The Telegraph, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme pranoi se nëse të akuzuarit e përdornin këtë si bazë për apelin e tyre, kjo mund të çonte në “përjashtimin e tyre nga procedurat e ekstradimit”.
Nikulaj ishte një ish-kandidat për deputet për Partinë Social Demokrate të Shqipërisë dhe duhej të kandidonte në zgjedhjet lokale të majit.
Viktima e ‘gjakmarrjes’ së shqiptarëve
Motivi ishte hakmarrje për një gjakmarrje me një familje tjetër, sipas policisë shqiptare. Në traditën shqiptare të gjakmarrjes, një familje duhet të hakmerret për vrasjen e një të afërmi duke vrarë një anëtar mashkull të familjes së vrasësit, të cilët më pas bëjnë të njëjtën gjë në një cikël të vazhdueshëm gjakderdhjeje.
Saraiva iku pas atentatit me një motoçikletë, duke kaluar kufirin për në Greqi dhe më pas në Marok. Ai u arrestua në Afrikën e Veriut dhe u ekstradua përsëri në Shqipëri në dhjetor 2023.
Gjykata e magjistratëve të Ëestminster u shpreh: “Argumenti i autoriteteve së Shqipërisë është se Edmond Haxhia organizoi atentatin me armë ndaj Ardian Nikulajt nga Ruben Saraiva më 19 prill 2023 dhe se personat e tjerë të kërkuar ishin të përfshirë në vëzhgimin e lëvizjeve të viktimës në ditët para të shtënave.” Aty vazhdohet duke thënë se secili prej të katërve “luajti një rol në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes”.
Në shtator 2023, autoritetet shqiptare thanë se 3 të bashkëpandehurit akuzoheshin për vrasje “me paramendim”. Kjo nuk ishte përfshirë në urdhrin e ekstradimit të paraqitur nga Ministria e Brendshme.
Në letrën drejtuar ambasadës shqiptare, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme tha: “Dua t’u shpreh autoriteteve shqiptare ndjesën tonë më të sinqertë për këto gabime, të cilat i pranojmë se ishin përgjegjësi e zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme.”
Zyrtari shtoi: “Nuk ka asnjë mekanizëm ligjor që Sekretari i Shtetit të korrigjojë këtë gabim, siç përsëritet në çdo Urdhër të nënshkruar.”
“Aktualisht, ndërsa çdo person i kërkuar ka aplikuar për leje për t’u apeluar në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar, asnjë nuk e ka ngritur si bazë apelimi këtë çështje specifike. Kjo mund të ndryshojë më vonë në procesin e apelimit.”
Ministria e Brendshme i ka kërkuar qeverisë shqiptare të dërgojë një letër të re sigurie në një përpjekje për të korrigjuar gabimin. Një seancë dëgjimore është caktuar të mërkurën.
Artan Hoxha, një reporter i njohur i krimit në Shqipëri, tha se mendohej se ishte paguar një shumë e madhe parash që ekipi të udhëtonte për në Shqipëri dhe për rekrutimin e vrasësit të dyshuar.
“Deri më tani kemi parë shqiptarë të përfshirë në të gjitha llojet e krimeve në Mbretërinë e Bashkuar, por kurrë nuk kemi parë një ekip britanikësh të bindin të përfshihen në një vrasje në Shqipëri”, tha ai. “Ata dyshohet se demonstruan se ishin të organizuar mirë, planifikuan dhe ekzekutuan një person në mes të ditës me përsosmëri.” ©Marrë nga The Telegraph, përshtati në shqip, LAPSI.al
The post Gabimi i ish-ministres britanike bllokoi ekstradimin e vrasësve të Nikulajt appeared first on Lapsi.al.
