PDK mbyll fushatën, Bedri Hamza u bën thirrje qytetarëve: Mos lejoni të tjerët të vendosin për ju

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Partia Demokratike e Kosovës këtë të shtunë ka mbyllur fushatën e saj elektorale për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza gjatë fjalës së u bëri thirrje qytetarëve për dalje masive në votim për të vendosur për të ardhmen e familjeve dhe Kosovës.

Hamza premtoi rritje 50% të pagave, të pensioneve dhe ndihmave sociale. Sipas tij pensioni minimal do të jetë 250 euro. Ai më tej prezantoi edhe masa ekonomike zero për qind të TVSH-së për produktet esenciale dhe energjinë elektrike, si dhe ulje të tatimit në të ardhura.

“ E para që duhet të bëjmë është ta themi edhe një herë se pa unitet nuk ka stabilitet. E pa stabilitet nuk ka qeverisje të mirë. Ndërsa, pa qeverisje të mirë, nuk ka paga më të larta, as çmime më të ulëta, as siguri për familjet tona. Prandaj këto zgjedhje duhet t’i shërbejnë bashkimit tonë rreth një qëllimi të përbashkët: një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, tha Hamza.

Ai shtoi se se gjatë fushatës ka dëgjuar shqetësimet reale të qytetarëve që përballen me vështirësi ekonomike sidomos pensionistët.

“Kam dëgjuar shpresë. Por kam dëgjuar edhe zhgënjime. Mbi të gjitha, kam dëgjuar një kërkesë të qartë: “Mos na lini vetëm. Fitoni dhe bëjeni ndryshimin”. Sonte dua t’ua tregoj këtë rrugëtim. Jo për mua. Por, për qytetarët e Kosovës. Ju ftoj ta ndiqni një ri-kapitullim të këtij rrugëtimi që e kemi bërë bashkë këtë muaj… Tani jemi në momentin vendimtar.

Mos e lini dikë tjetër të vendosë për ju. Mos e lini votën tuaj në shtëpi. Flisni me familjen. Me miqtë. Me fqinjët. Dhe të dielën në mëngjes dilni dhe votoni. Sigurohuni që të gjithë të dalin dhe ta votojnë numrin 130. Merreni me vete familjen. Ndihmoni prindërit, gjyshërit, fqinjët. Telefononi një mik dhe kujtojani, sepse çdo votë është përgjegjësi”, shtoi ai.

Hamza u bëri thirrje qytetarëve që nesër të dalin masivisht në votim, duke theksuar se çdo votë është vendim për të ardhmen e familjeve dhe të Kosovës. Sipas tij Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për qytetarët.

The post PDK mbyll fushatën, Bedri Hamza u bën thirrje qytetarëve: Mos lejoni të tjerët të vendosin për ju appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: