Lamtumira e një epoke, yjet botërorë që u shuan në 2025

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Rradhitja e lajmeve mortore këtë herë ishte aq e dendur, sa krijoi ndjesinë se humbjet e mëdha po vinin më shpejt dhe më shpesh se zakonisht. Ikja e figurave që për dekada me radhë formësuan artin, muzikën dhe kinemanë botërore e bëri edhe më të dukshëm zbehjen e plejadës së vjetër të yjeve, që për një kohë të gjatë kishin qenë pikë referimi për breza të tërë.

E fundit që iu shtua kësaj liste të trishtë ishte Brigitte Bardot, ikona absolute e kinemasë franceze dhe një nga figurat më emblematike të shekullit XX. Simbol i sensualitetit, por edhe i guximit për të thyer tabu shoqërore, Bardot u shua në moshën 91-vjeçare në Saint-Tropez, ku prej vitesh jetonte larg vëmendjes publike. Presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi atë si “një legjendë të shekullit”, duke theksuar se ajo mishëroi idenë e një jete të lirë dhe të pavarur.

Pak më herët, bota e kinemasë ishte tronditur nga ndarja nga jeta e Diane Keaton, një tjetër figurë madhore e ekranit të madh. Aktorja amerikane, e ngritur në status legjende falë roleve ikonike në filma si Annie Hall, The Godfather dhe The First Wives Club, u shqua gjithashtu si një ikonë mode që ndikoi thellësisht në estetikën e Hollivudit. Keaton ndërroi jetë më 11 tetor, në moshën 79-vjeçare, larg shkëlqimit që kishte shoqëruar vitet më kulmore të karrierës së saj.

Viti 2025 shënoi edhe humbjen e Claudia Cardinale-s, yllit të madh italian, e cila la gjurmë të pashlyeshme në historinë e kinemasë evropiane dhe botërore, veçanërisht me interpretimin e saj në kryeveprën e Sergio Leone-s, Once Upon a Time in the West.

Në të njëjtin vit u shua edhe Robert Redford, “djali i artë” i Hollivudit, aktor, regjisor dhe producent, trashëgimia e të cilit mbetet thellësisht e rrënjosur në historinë e kinematografisë. Themelues i Festivalit prestigjioz Sundance, Redford mbetet i paharruar për interpretimet në filma si Butch Cassidy and the Sundance Kid, Three Days of the Condor dhe All the President’s Men.

Jeta u ndërpre në mënyrë të papritur edhe për Michael Madsen, i cili u shua në moshën 67-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak. I njohur për bashkëpunimet e tij të shumta me Quentin Tarantinon, Madsen spikati veçanërisht me rolin e tij në Kill Bill, përkrah Uma Thurman.

Më 22 korrik, muzika humbi një nga figurat e saj më të zëshme dhe më kontroverse: Ozzy Osbourne. Vokalisti legjendar i Black Sabbath dhe ylli i reality show-ve u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, vetëm pak javë pasi kishte performuar një koncert lamtumire me grupin e tij para 40 mijë fansave në qytetin e lindjes.

The post Lamtumira e një epoke, yjet botërorë që u shuan në 2025 appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: