Mbrëmjen e djeshme, Teatri “Andon Zako Çajupi” në Korçë u bë skenë e produksionit më ambicioz të këtij sezoni, muzikalja “Katedralja”. Shfaqja solli një ndërthurje të fortë të aktrimit, këndimit dhe kërcimit, duke transmetuar emocione të forta tek publiku.
Regjia e veprës është realizuar nga Xhuliano Brisku, koreografia nga Artan Ibershimi, udhëheqja muzikore nga Artur Vera, ndërsa orkestrimi i veprës u realizua nga Laert Qazimi.
Produksioni prezantoi një kast të gjerë artistësh, ku spikasin Arsi Bako, Amri Hasanlliu, Gerald Murrja, Donald Shehu, Mateus Frroku dhe Gloria Nure, të cilët sollën në jetë personazhe të ndërlikuar, duke mbajtur publiku të angazhuar gjatë gjithë shfaqjes.
“I lodhur por mirë. Emocion e sfidë shumë e madhe, mezin e kam cope. Kam përshtypjen se u prit mirë, e vështirë për vokalin, nuk mbaja dot as brez, se nuk dilte zëri. Roli më i vështirë që kam patur ndonjëherë.”-u shpreh aktori Amri Hasanlliu.
“Besoj se në Korçë është muzikal i parë që vendoset në teatër. Njerëzit e pritën shumë mirë, mezi presim natën e nesërme dhe ta bëjmë net të tjera. Ka qenë e vështirë të përshtatem, por ja dolëm me sukses.”-u shpreh aktori Gerald Murja
“Ka qenë eksperiencë ndryshe nga deri tani. Unë këndoj, por të bashkoj aktrim, këndim dhe kërcim ishte sfidë. Shpresoj të jetë pëlqyer dhe do mbetet gjatë në karrierën time.”-u shpreh Arsi Bako, aktorja që luan Esmeraldën.
“Besoj se ja dolëm të gjithë bashkë. Jam i lumtur që jam pjesë e teatrit dhe aktor i Teatrit. Ishte një çmenduri të vendosja këtë produksion në skenë, një sfidë e madhe për mua si regjisor i ri. Muzikal është një gjini shumë e vështirë.”- u shpreh Xhuliano Brisku, regjisor i shfaqjes.
Në përfundim të shfaqjes, publiku korçar e duartrokiti gjatë, duke konfirmuar suksesin e veprës dhe impaktin emocional që solli muzikalja “Katedralja” në skenën lokale.
The post “Katedralja”, një muzikali fuqishëm në skenën e Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’ appeared first on Euronews Albania.
