Manchester United ka shkarkuar Ruben Amorimin nga posti i trajnerit, pas përkeqësimit të situatës brenda dhe jashtë fushës në “Old Trafford”. Vendimi u bë i ditur të hënën në mëngjes, vetëm pak orë pas barazimit 1-1 ndaj Leeds United, ndeshje që u pasua nga tensione dhe deklarata polemike të teknikut portugez ndaj drejtuesve të klubit.
40-vjeçari, i cili u largua me nxitim nga konferenca për shtyp pas takimit, nuk arriti të stabilizojë skuadrën gjatë 14 muajve në krye të “Djajve të Kuq”, pavarësisht pritshmërive të mëdha pas ardhjes së tij si pasues i Erik ten Hag. Edhe pse bashkëpronari Sir Jim Ratcliffe kishte deklaruar më herët se do t’i jepte Amorimit kohë trevjeçare për të ndërtuar projektin e tij, klubi ka vendosur të ndryshojë drejtim.
Sipas Manchester Evening News, kontrata e Amorimit nuk përmbante klauzolë ndërprerjeje, çka e detyron Manchester United t’i paguajë pjesën e mbetur të marrëveshjes. Trajneri përfitonte rreth 6.5 milionë paund në vit dhe i kishin mbetur edhe 18 muaj kontratë, duke e çuar vlerën e kompensimit në rreth 10 milionë paund.
Megjithatë, shuma përfundimtare që do të përfitojë ish-trajneri i Sportingut do të jetë dukshëm më e ulët. Sipas OLBG, pagesa do t’i nënshtrohet ligjeve britanike të taksimit. Edhe pse pagesat e ndërprerjes zakonisht përjashtohen nga kontributet e Sigurimeve Kombëtare për punëmarrësin, Manchester United pritet të paguajë rreth 1.5 milionë paund si kontribut i punëdhënësit.
Në total, Thesari i Mbretërisë së Bashkuar pritet të arkëtojë rreth 6 milionë paund në formë taksash, çka do të thotë se Ruben Amorim do të përfundojë me rreth 5.5 milionë paund neto nga kompensimi i tij.
The post Shkarkohet Ruben Amorim nga Manchester United, ja sa përfiton nga kompensimi appeared first on Euronews Albania.
