Qeveria po i vendos kapakun një prej zgjedhjeve më të gabuara dhe më të kushtueshme të dekadës së fundit në shëndetësi, koncesionin e sterilizimit, projekti që nisi si “reformë moderne” dhe përfundoi si aferë korrupsioni me dhjetëra miliona euro të humbura dhe një proces penal që ka çuar në bankën e të akuzuarve kupolën drejtuese në Ministrinë e Shëndetësisë.
Dhjetë vjet pas nënshkrimit të kontratës së partneritetit publik privat, e cila u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë mbi 114 milionë euro, qeveria Rama po finalizon shtetëzimin de facto të shërbimit, duke pranuar në heshtje atë që prej vitesh është denoncuar në media se koncesioni i sterilizimit ishte një zgjedhje politike e gabuar, financiarisht shkatërruese dhe ligjërisht e ndërtuar për t’i shërbyer një skeme të paracaktuar korrupsioni.
Më 30 dhjetor 2025, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e një shoqërie aksionare 100 për qind shtetërore, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila do të marrë përsipër ofrimin e shërbimeve të sterilizimit, funksion që deri tani ushtrohej nga kompania koncesionare SaniService, aktualisht nën sekuestro që prej janarit 2024. Shoqëria e re, e quajtur Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit, OSHIS sh.a, do të ofronte kundrejt pagesës të njëjtat shërbime për spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake, pra saktësisht atë që shteti mund dhe duhej ta kishte bërë vetë që në fillim, pa ndërmjetës privatë.
Ndërkohë OSHIS sh.a do të nisë aktivitetin me një kapital fillestar prej 200 milionë lekësh, të financuara nga fondet kapitale të programit “Shërbime të kujdesit dytësor” të Ministrisë së Shëndetësisë. Më pas, kompania pritet të vetëfinancohet nga të ardhurat e gjeneruara nga shërbimi i sterilizimit. Me pak fjalë, pas një dekade faturash të fryra dhe pagesash të garantuara për koncesionarin, shteti rikthehet tek modeli publik, por vetëm pasi ka djegur dhjetëra miliona euro dhe ka prodhuar një dosje të rëndë penale.
Konfirmimi i akuzës/ “Grup i strukturuar kriminal” brenda qeverisë
Kontrata e sterilizimit është një nga katër koncesionet famëkeqe të qeverisë Rama në shëndetësi, për të cilën hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë përfunduar dhe çështja ndodhet në gjykatë. Sipas hetimeve të SPAK, procedura e dhënies së koncesionit ishte e manipuluar nga fillimi në fund, me qëllimin e vetëm që fituese të shpallej kompania e biznesmenit Ilir Rrapaj, e cila zotëronte 40 për qind të aksioneve në konsorciumin fitues.
Dosja hetimore evidenton një listë të gjatë shkeljesh, që nga studimi i fizibilitetit me të dhëna të rreme dhe në kundërshtim me ligjin, deri te hartimi i kritereve të tenderit në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të paracaktuara. SPAK konstatoi gjithashtu mosveprim për zgjidhjen e konfliktit të interesit, si dhe shkelje serioze gjatë fazës së negocimit të kontratës. Sipas vlerësimit gjyqësor, kushtet e kontratës kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.
Politika e PPP-ve në shëndetësi lë pas një gropë financiare
Për këto shkelje, Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish zëvendësministrin Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë anëtarë të komisionit të dhënies së koncesionit, Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi. Beqaj po gjykohet në një proces të ndarë, pasi nuk pranoi gjykimin e shkurtuar.
Shtetëzimi i sotëm i sterilizimit mund të konsiderohet si një pranim i vonuar i dështimit. Qeveria Rama po rikthehet aty ku duhej të kishte qenë që në fillim, por vetëm pasi zgjedhja e gabuar e partneritetit publik privat prodhoi një nga aferat më të mëdha të korrupsionit në shëndetësi, me kosto kolosale financiare dhe me pasoja penale për zyrtarë të lartë./Lapsi.al
The post “Sterilizimi” kthehet në shtet, pas dështimit të PPP me vlerë 114 milion euro appeared first on Lapsi.al.
