Shuhet ish-basketbollisti Spiro (Pirro) Koleka, pjesë e “brezit magjik” të “17 Nëntorit”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh) ka njoftuar me trishtim ndarjen nga jeta, në moshën 73-vjeçare, të ish-basketbollistit të njohur Spiro (Pirro) Koleka. Ai konsiderohet pjesë e “brezit magjik” të ekipit “17 Nëntori” (sot KS Tirana) në vitet ’70, një periudhë e artë për basketbollin shqiptar.

Koleka la gjurmë të pashlyeshme si lojtar me talent dhe përkushtim, ndërsa më pas vijoi karrierën si trajner, duke drejtuar me sukses ekipin italian Victoria Libertas Pesaro.

Në mesazhin e ngushëllimit, KOKSh vlerëson kontributin e tij në sport, profesionalizmin dhe dashurinë e palëkundur për basketbollin, duke theksuar se ai do të mbetet një frymëzim i qëndrueshëm për brezat e rinj të sportistëve shqiptarë.

Bashkëshortja e tij, Lindita Koleka, në një reagim të emocionuar, shprehet për dy vitet e fundit të vështira për Spiron dhe kujtimet e përbashkëta të pesëdhjetë viteve jetës së tyre së bashku. “Piro do të jetojë përherë në kujtesën dhe zemrat tona për urtësinë e rrallë, fisnikërinë e heshtur, kreninë dhe idealet e tij. Dashuria jote, prania jote, drita e shpirtit tënd do të na mungojë pafund”, shkruan ajo.

The post Shuhet ish-basketbollisti Spiro (Pirro) Koleka, pjesë e “brezit magjik” të “17 Nëntorit” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: