E ftuar në ‘Review’ me Greta Topjana në Euronews, Juxhina Sotiri, eksperte për marrëdhëniet ndërkombëtare, komentoi pjesëmarrjen e presidentes Vjosa Osmani në Samitin e Davosit krah presidentit amerikan Donald Trump në bordin e paqes.
Ekspertja shtoi se ftesa e drejtuar personalisht Osmani dhe pjesëmarrja pranë Trump tregon forcimin e profilit proamerikan të Kosovës dhe rrit mundësitë e saj për të luajtur një rol aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sotiri vlerësoi se pjesëmarrja e Osmanit në këtë samit i jep asaj një kapital politik të rëndësishëm në në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Mendoj që figura më unitare, të paktën për politikën e jashtme, por dhe të brendshme në Kosovë, është zonja Osmani. Automatikisht kjo ka qenë dhe një nga arsyet pse ftesa ishte drejtuar pikërisht asaj personalisht, pasi të paktën në Bordin e Paqes pamë edhe ftesa të drejtuara kryeministrave të vendit. Megjithatë, nëse do ta shikojmë panoramën apo hartën e gjithë Bordit të Paqes, Kosova vendoset si një vend proamerikan 100%, i cili jo vetëm e njeh investimin financiar dhe human që SHBA-të kanë aty, por tregon edhe që është gati për të ndërmarrë disa hapa në kuadër ose në prag të rikonfigurimit dhe ritransformimit që vetë aleanca transatlantike është në proces. Megjithatë, tashmë ka ardhur koha që Shqipëria mos ta luajë më rolin e vëllait të madh për Kosovën, por Kosova të dalë vetë në arenën ndërkombëtare. Fakti që në këto muaj të fundit kemi pasur dy-tre njohje të reja është për t’u përgëzuar dhe tregon rritjen e rolit të zonjës Osmani, e cila pa diskutim përbën një kapital politik për figurën e saj në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat do të zhvillohen së shpejti. Situata është disi më e komplikuar politikisht, por ndoshta do të kemi mundësinë për ta sqaruar se si do të organizohet procesi, pasi kemi kaluar dy periudha të rëndësishme – shkurtin dhe dhjetorin – që kanë qenë të ngarkuara politikisht për Kosovën, përfshirë edhe zgjedhjet lokale. Është interesante të shohim edhe çfarë përmend zoti Kurti, pasi duket se ka kuptuar dhe po përpiqet ta vendosë Kosovën në tavolinën e negocimit transaksional. Kosova patjetër duhet të japë diçka – mund të jenë minierat e saj me mineralet e rralla ose diçka tjetër, ende për t’u parë. Deklaratat e Trump tregojnë tentativën për të afruar Kosovën dhe për të përdorur të njëjtën monedhë që ai pëlqen – shkëmbime tregtare. Ballkani ka rëndësi të madhe për Amerikën. Të gjithë misionet, operacionet humanitare ose jo, që NATO ka ndërmarrë, tregojnë rëndësinë strategjike të këtij rajoni. Baza më e rëndësishme është ajo e Bonstillit, por gjithë misioni i KFOR-it është një histori suksesi në terma real të aleancës transatlantike. Krahas kësaj, duhet pasur vëmendje edhe për zhvillimet politike në Shqipëri dhe Greqi, përfshirë ligjin për detin dhe aksesin që i jepet Greqisë. Sa i përket Rusisë, është e vërtetë se ka një prirje përafruese, dhe që në 2014, Putin deklaroi se në qoftë se do të njihni Krimenë, do ta njohim Kosovën. Prezenca strategjike amerikane është thelbësore në këtë kontekst”, tha ajo.
The post “Osmani pranë Trump në Davos”, ekspertja: I jep kapital për zgjedhjet presidenciale appeared first on Euronews Albania.
