Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënim prej 45 vjetësh për secilin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e konsideron këtë vendim si akt padrejtësie dhe fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës.
“Kjo nuk ka të bëjë me drejtësi, por është një përpjekje prokuroriale për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare”, tha Haxhiu.
Ministrja theksoi se Serbia ka kryer krime lufte të dokumentuara, duke përfshirë vrasje, masakrime, përdhunime seksuale si armë lufte dhe dëbime masive të popullsisë, të cilat janë dëshmuar nga bota ndërkombëtare. Megjithatë, shteti serb nuk u përball kurrë me drejtësinë në mënyrë serioze, ndërsa kriminelët e saj janë ricikluar në pushtet, amnistuar dhe privilegjuar.
Haxhiu kritikoi gjithashtu mekanizmin gjyqësor që, sipas saj, po mundohet të kriminalizojë rezistencën e popullit shqiptar. “UÇK po trajtohet sikur të ishte shkaku i luftës, e jo përgjigje ndaj terrorit shtetëror serb. Kërkimi i dënimeve kaq të rënda për drejtues dhe ushtarë të UÇK-së është tendencë për të zhveshur Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe për ta barazuar viktimën me xhelatin”, shtoi ministrja.
Ky reagim vjen ndërsa procesi gjyqësor për ish-krerët e UÇK-së ka shkaktuar debate të ashpra politike dhe historike në Kosovë dhe rajon.
The post Haxhiu: Kërkesa për 45 vite burg për ish-krerët e UÇK-së shtrembëron historinë appeared first on Euronews Albania.
