Emanuel Macron deklaroi në Konferencën e Sigurisë në Mynih se Evropa duhet të hartojë nga e para arkitekturën e sigurisë bazuar në kushtet e saj, përballë agresivitetit të Rusisë.
Presidenti francez tha se korniza aktuale e sigurisë nuk do të mbajë në të ardhmen dhe evropianët duhet të parashtrojnë parametra të rinj.
Sipas tij, kjo mund të kërkojë një qasje më gjithëpërfshirëse sa i takon mbrojtjes bërthamore mes aleatëve evropianë.
Shefi i pallatit Elize tha se planet për të nesërmen, që përfshijnë një bashkekzistencë me Rusinë duhet të hartohen në mënyrë të pavarur nga realiteti gjeografik dhe një ushtri ruse “e fryrë”, me “sheqerin në maksimum” për të luftuar.
“Duhet të jemi ne ata që e negociojnë këtë arkitekturë të re sigurie për Evropën për ditën që vjen, pasi gjeografia jonë nuk do të ndryshojë”, tha Macron.
“Ne do të jetojmë me Rusinë në të njëjtin vend dhe evropianët do të jenë po ashtu në të njëjtin vend, ndaj nuk dua që kjo negociatë të bëhet nga dikush tjetër”, vijoi presidenti, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara dhe bisedimeve të tyre me Moskën.
Macron parashtroi mundësinë e një “dialogu të ri strategjik” për armët bërthamore. “Ne jemi angazhuar në një dialog strategjik me kancelarin Merz dhe liderë të tjerë evropianë për të parë se si mund të artikulojmë doktrinën tonë kombëtare, në bashkëpunim me disa vende të rëndësishme”, vijoi Macron.
The post Macron: Evropa duhet të rishkruajë arkitekturën e sigurisë së saj appeared first on Euronews Albania.
