Cristiano Ronaldo duket se i ka qartësuar gjërat me drejtuesit e Al Nassr, pasi i dha fund bojkotit dhe u rikthye të luajë për skuadrën në fjalë, ku arriti të realizojë edhe gol. 41-vjeçari e nisi si titullar sfidën e fundjavës përballë Al Fateh dhe luajti 90 minuta.
Skuadra e tij regjistroi një fitore 0-2, ku një prej golave u shënua pikërisht nga Ronaldo, pas asistit të Sadio Mané. Goli i dytë i ndeshjes erdhi nga Yahya në minutën e 78-të.
Kjo ishte fitorja e 17-të sezonale për Al Nassr, që aktualisht renditet në vendin e dytë në klasifikim, pas Al Hilal kryesues.
Sa i përket CR7, ai vijon rrugën drejt 1 mijë golave zyrtarë në karrierë, ku aktualisht numëron 962 realizime. Një arritje e tillë do të ishte historike, pasi asnjë lojtar më herët nuk ka regjistruar shifra të tilla.
Ronaldo mungoi në dy ndeshjet e mëparshme të Al Nassr në shenjë revolte ndaj drejtuesve, të cilët po lejonin largimin e lojtarëve kryesorë. Megjithatë, kur është në fushë, portugezi mbetet një profesionist i vërtetë dhe kontribues për ekipin e tij.
The post Cristiano Ronaldo i jep fund bojkotit, rikthehet me gol appeared first on Euronews Albania.
