UEFA pezullon përkohësisht Prestianni-n për akuzat ndaj Vinícius Júnior, mungon ndaj Real Madridit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gianluca Prestianni nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e kthimit të Benfica kundër Real Madrid, që do të zhvillohet mbrëmjen e së mërkurës, pasi UEFA ka vendosur pezullimin e tij me një ndeshje.

Vendimi vjen pas akuzave se futbollisti ka ofenduar në mënyrë raciste yllin brazilian Vinícius Júnior gjatë përballjes së parë në Champions League.

Sipas UEFA-s, pezullimi është një masë e përkohshme, ndërsa hetimet për rastin vijojnë. Institucioni më i lartë i futbollit europian thekson se do të shqyrtojë të gjitha provat përpara se të marrë një vendim përfundimtar.

Nga ana tjetër, Benfica ka reaguar duke bërë të ditur se do të apelojë vendimin. Klubi portugez është shprehur i pakënaqur me masën disiplinore, duke theksuar se mungesa e Prestianni-t në një sfidë kaq të rëndësishme ndikon ndjeshëm në skuadër.

Rasti ka marrë jehonë të gjerë gjatë javës së fundit, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe opinionit sportiv, ndërsa pritet që zhvillimet e mëtejshme të përcaktojnë edhe fatin përfundimtar të lojtarit.

The post UEFA pezullon përkohësisht Prestianni-n për akuzat ndaj Vinícius Júnior, mungon ndaj Real Madridit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: