Di Gregorio në shënjestër kritikash dhe kërcënimesh, periudha më e vështirë te Juventusi

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Michele Di Gregorio po kalon momentin më të komplikuar që nga transferimi te Juventus në verën e vitit 2024. Portieri bardhezi vjen pas paraqitjeve të pasigurta ndaj Como dhe Inter, me dy gabime që në të dyja rastet u kushtuan epërsinë kundërshtarëve.

Siç ndodh shpesh në raste të tilla, reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të ashpra. Pas humbjes ndaj Comos, ish-lojtari i Monza u detyrua të mbyllë komentet në Instagram për shkak të fyerjeve të shumta. Përveç kritikave, ai është përballur edhe me kërcënime që preknin familjen e tij.

Sipas raportimit të Tuttosport, fyerje pati edhe para nisjes së sfidës me Comon. Gjatë nxehjes, disa tifozë thuhet se e ofenduan me thirrje si “bir i një budallai” apo “Interist”, duke iu referuar të kaluarës së tij në akademinë e zikaltërve.

Megjithatë, pavarësisht gabimeve individuale, situata duket se ka kaluar çdo kufi, teksa Di Gregorio nuk konsiderohet shkaktari kryesor i ecurisë së dobët të Juventusit. Në mbështetje të tij ka dalë edhe trajneri Luciano Spalletti, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që portieri të pushojë në sfidën e radhës ndaj Galatasaray, për t’i dhënë hapësirë një rikuperimi psikologjik dhe fizik.

The post Di Gregorio në shënjestër kritikash dhe kërcënimesh, periudha më e vështirë te Juventusi appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: