Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Anija patrulluese e marinës italiane “Cassiopea”, me 49 emigrantë të shpëtuar gjatë fundjavës në ujërat ndërkombëtare në jug të ishullit Lampedusa mbërriti mëngjesin e sotëm në portin e Shëngjinit. Anija hyri në port në orën 07:30. Shumica e emigrantëve në bord ishin nga Bangladeshi, por kishte edhe nga Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Gambia.
Do të ketë procedura të përshpejtuara kufitare për ata që vijnë nga “vende të sigurta” dhe që nuk kanë dorëzuar dokumentet e identitetit. Megjithatë, 5 nga 49 emigrantët do të kthehen menjëherë në Itali. Bëhet fjalë për 2 persona nga Gambia, 1 nga Bangladeshi dhe 2 të tjerë nga Bregu i Fildishtë. Ndërsa 8 emigrantë të tjerë nga Egjipti dhe 36 nga Bangladeshi janë dërguar në kampin e Gjadrit.
Transferimet drejt Shqipërisë rifilluan pas një ngrirjeje prej 2 muajsh. Të gjithë emigrantët vijnë nga vendet në listën “e sigurt”. Në hotspotin “italian” të Shëngjinit, azilkërkuesit do të identifikohen dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli të plotë mjekësor. Nëse konstatohen kushte vulnerabiliteti, ata do të dërgohen në Itali, siç ndodhi në disa raste në dy transferimet e mëparshme drejt Shqipërisë, në tetor dhe nëntor 2024.
Ata që do të dërgohen në Gjadër do të jenë në pritje të rezultatit të kërkesës së tyre për azil. Atyre që u refuzohen kërkesa do të transferohen në një CPR, brenda kampit, ku është ngritur edhe një burg i vogël për ata që kryejnë krime.
Gjykata e Apelit e Romës do të duhet të vendosë brenda 48 orëve nëse do të aprovojë ose jo mabjtjen e 44 emigrantëve në Gjadër. Përgjigja nga gjykata duhet të vijë deri të enjten. Në rastet e kaluara, magjistratët pezulluan vlefshmërinë për të gjithë emigrantët e ndaluar, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për vendet e sigurta, që pritet të shprehet më 25 shkurt. ©LAPSI.al
The post 44 emigrantë përfundojnë në Gjadër, 5 kthehen në Itali appeared first on Lapsi.al.
