Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Skënderbeu i Ernest Gjokës ka dhënë një sinjal të fortë në garën për mbijetesë, duke triumfuar me një fitore spektakolare 0-3 në Ballsh kundër Bylisit. Korçarët zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer në stadiumin “Adush Muça”, duke e zgjidhur sfidën me golat e egjiptianit Nasr, i cili realizoi një dopietë vendimtare, dhe brazilianit Lukinha.
Me këtë trepikësh të artë, Skënderbeu arrin në kuotën e 26 pikëve dhe ngushton diferencën me vetë Bylisin në vetëm dy pikë, duke e bërë betejën për mbijetesë edhe më të ndezur. “Personalisht mendoi që skuadra dhe gjithçka – tha pas ndeshjes tekniku Gjoka -. I dinim pikat e forta të Bylis. I bllokuam pikat e forta të tyre. Bylisi është një ekip që në fushën e tij ka bërë mirë”.
Festë bardhekuqe në Adush Muça
Takimi nisi me një episod të diskutueshëm në minutën e 11-të, kur Bylisi kërkoi një penallti për një prekje të dyshimtë me dorë nga Bismark, por arbitri Hamiti nuk e konsideroi të tillë. Në minutën e 15-të, Skënderbeu pati një mundësi të artë me Nikajn, por shkodrani shpërdoroi një rast të pastër përballë portierit.
Megjithatë, në minutën e 23′, korçarët morën avantazhin. Një keqkuptim mes portierit dhe mbrojtjes ballshiote i dha mundësinë Nasrit të shtynte topin në rrjetë me portën e boshatisur, duke zhbllokuar sfidën. Skënderbeu vazhdoi të ushtrojë presion dhe në minutën e 32′, Nasr shënoi edhe golin e dytë pas një asisti nga Prençi. Fillimisht arbitri sinjalizoi për pozicion jashtë loje, por ndërhyrja e VAR-it konfirmoi rregullsinë e golit, duke i dhënë korçarëve një epërsi të qartë.
Në pjesën e dytë, Bylisi tentoi të reagojë me Da Silvën, i cili në minutën e 59′ provoi nga goditja e dënimit, por portieri Alia reagoi mrekullisht. Në minutën e 80′, Skënderbeu vulosi triumfin me një gol të mrekullueshëm të brazilianit Lukinha, i cili pas një asisti nga Janaqi realizoi një parabol të bukur për golin e tretë. “Janë ndeshje shumë delikate. Rëndesa e madhe e fundit të tabelës nuk po na nxirrte te loja jonë. Ardhjet e reja tani po japin atë që duhet. Estrela, Sabo, Nasr, rikthimi i Nikajt, por edhe Juri, e kanë ndryshuar skuadrën në shumë drejtime. Do ishte zhgënjim i madh nëse nuk do arrinim objektivin e Skënderbeut që është mbijetesa”, e mbylli Gjoka.
Çfarë Vjen Më Pas?
Ky ishte triumfi i dytë radhazi për Skënderbeun, që tashmë është futur plotësisht në garën për mbijetesë. Në sfidën e radhës, korçarët do të përballen në transfertë me Elbasanin, ndërsa Bylisi do të kërkojë të reagojë në shtëpi kundër Teutës. Me këtë fitore, ekipi i Gjokës jo vetëm që rikthen shpresat për shpëtim, por dërgon një mesazh të qartë: Skënderbeu nuk është dorëzuar ende!
The post Skënderbeu trondit Mezanin në Ballsh: tris bardhekuq, Gjoka asgjeson Bylis appeared first on Lapsi.al.
