Vrau të dashurën e tij argjentinase, Gjykata Themelore në Prishtinë dënon me 18 vite burg autorin

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 18 vjet burgim Endrit Nikën për vrasjen e të dashurës së tij argjentinase, Maria Clara Urdangaray. Vendimi u shpall të enjten nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri.

“Vendimin e shqiptuar me burgim të akuzuarit i llogaritet edhe koha e paraburgimit. Të akuzuarit me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në aktgjykim”, tha kryetari i trupit gjykues.

Në seancë ishin edhe prindërit e viktimës. Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje me të dashurën e ka goditur dhe ka tentuar ta shkelë me makinë në parkingun jashtë hotelit.

Dhuna më pas ka vijuar edhe në dhomën e hotelit dhe i mori jetën duke e hedhur nga ballkoni i katit të gjashtë.

Nëna e viktimës, Magdalena Urdangaray pas vendimit tha se familja e saj ka marrë drejtësinë që ka kërkuar dhe ka falënderuar institucionet e drejtësisë së Kosovës.

“E vlerësojmë shumë punën e prokurorit që gjithmonë është përpjekur ta zbulojë të vërtetën. Dhe sot e ka dëshmuar me të gjitha provat. Klara e ka marrë drejtësinë. Faleminderit Kosovë, faleminderit gjithë shoqërisë që na mbështetën”, tha Magdalena.

The post Vrau të dashurën e tij argjentinase, Gjykata Themelore në Prishtinë dënon me 18 vite burg autorin appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: