Raporti vjetor i shërbimeve italiane të inteligjencës, “Relazione annuale sulla politica dell’informazione per la sicurezza 2026”, përmend Shqipërinë si një element të rëndësishëm në çështjet e migracionit dhe sigurisë në rajonin e Mesdheut.
Dokumenti e paraqet vendin njëkohësisht si partner në menaxhimin e migracionit dhe si një hapësirë ku veprojnë rrjete të krimit të organizuar me aktivitet ndërkombëtar.
Në raport analizohet marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigrantëve të parregullt. Sipas dokumentit, kjo marrëveshje shihet nga autoritetet italiane si një test për modelin e transferimit të disa procedurave të azilit jashtë territorit të Bashkimit Evropian. Italia po vlerëson nëse ngritja e qendrave të pritjes dhe shqyrtimit të kërkesave për azil në Shqipëri mund të ndikojë në uljen e presionit mbi sistemin italian të migracionit.
Raporti paraqet katër skenarë të mundshëm për zhvillimet e migracionit gjatë vitit 2026. Në skenarin e parë, i cilësuar si më i mundshmi, flukset migratore mbeten në nivele të ngjashme me vitin 2025 dhe marrëveshja me Shqipërinë funksionon në kuadër të një situate të menaxhueshme. Në skenarin e dytë parashikohet ulje e flukseve nëse marrëveshja zbatohet plotësisht dhe nëse forcohen kontrollet në vendet e Afrikës së Veriut.
Një skenar tjetër i përmendur në raport parashikon rritje të ndjeshme të migracionit në rast të përkeqësimit të situatës në Libi dhe dobësimit të kontrollit në Tunizi. Në këtë rast, marrëveshja me Shqipërinë mund të mos jetë e mjaftueshme për të përballuar presionin. Skenari i katërt përshkruan një situatë krize të gjerë në rast të kolapsit të kontrollit në Libi dhe një rritjeje të madhe të flukseve migratore drejt Evropës.
Në pjesën që trajton krimin transnacional, raporti thekson se grupet kriminale shqiptare vazhdojnë të jenë të pranishme në trafikun ndërkombëtar të drogës. Dokumenti i përshkruan këto rrjete si të organizuara dhe me aftësi për të bashkëpunuar me organizata të tjera kriminale.
Sipas raportit, grupet shqiptare veprojnë shpesh në bashkëpunim me organizata kriminale italiane, përfshirë ’Ndrangheta, në aktivitetet që lidhen me importimin dhe shpërndarjen e kokainës nga Amerika e Jugut drejt tregjeve evropiane.
Dokumenti përmend gjithashtu rolin e pozicionit gjeografik të Shqipërisë në rrugët e trafikut. Dalja në detin Adriatik dhe afërsia me Italinë përmenden si faktorë që e bëjnë vendin një pikë tranziti në disa rrjete të trafikut të drogës që kalojnë drejt Evropës Veriore.
Në përfundim, raporti e paraqet Shqipërinë si pjesë të bashkëpunimit me Italinë në menaxhimin e migracionit, ndërsa në të njëjtën kohë evidenton aktivitetin e rrjeteve të krimit të organizuar shqiptar në trafikun ndërkombëtar të drogës.
The post Raporti i Shërbimeve Inteligjente Italiane për 2026: Shqipëria partner strategjik, krimi i organizuar mbetet problem appeared first on Euronews Albania.
