Analisti: Protestat studentore në Serbi me mungesë kohezioni dhe drejtimi të qartë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

I ftuar në emisionin “Balkan Talks” në Euronews, analisti Ben Andoni ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe shoqërore në Serbi, me fokus të veçantë tek protestat studentore dhe dinamika e brendshme e tyre. Andoni ofroi një vështrim kritik mbi mënyrën e organizimit të lëvizjes studentore në Serbi teksa tha se ajo po zhvillohet në një kontekst kompleks, ku mungesa e transparencës dhe fragmentimi i brendshëm po ndikojnë në kohezionin e saj.

Ai theksoi se, ndonëse ka një mobilizim të gjerë shoqëror, ende vërehen paqartësi në strukturimin e përfaqësimit dhe në drejtimin e kërkesave kryesore megjithatë sipas tij, përballja mes qeverisë dhe studentëve pritet të intensifikohet, ndërsa mbështetja qytetare mbetet një faktor kyç në mbajtjen gjallë të protestave.

“Besoj që është një matricë me shumë variabla, sepse vetë studentët prej kohësh kanë filluar përgatitjet e tyre me pleniumet që zhvillojnë në fakultete për të nxjerrë individë më spikatës. I gjithë ky proces duket se ka mungesë transparence dhe një lloj konfuzioni, që tregon edhe formimin e këtij brezi, dhe këtë e kanë treguar edhe me memorandumet që kanë hartuar. Ndërkohë, studentët po ushtrojnë presion dhe kërkojnë që zgjedhjet të zhvillohen më shpejt sesa vjeshta, edhe pse presidenti Vuçiç ka përmendur një periudhë nga shtatori deri në nëntor. Serbia gjatë verës e ka më të vështirë realizimin e proceseve të tilla, për arsye financiare, por edhe sepse përballja me studentët do të jetë më e rëndë, pasi në listat që pretendohen duhet të ketë një “pastrim” të figurave me reputacion të dobët. Një element tjetër është presioni i madh që qeveria e Vuçiç do të ketë në muajt në vijim, sidomos për sigurimin e fondeve të nevojshme deri në fillim të dhjetorit. Po ashtu, Serbia po përpiqet të përmbyllë projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e godinave kryesore, që konsiderohen si një nga arritjet më të mëdha të saj në rajon dhe në Europën Juglindore. Kjo shërben edhe si narrativë për të siguruar mbështetje ndërkombëtare dhe për të përmirësuar imazhin e qeverisë. Ndërkohë, studentët deri tani kanë sfumuar figurën e zotit Gjokiç, i cili është përmendur si një nga kandidatët për të kryesuar listat e pleniumeve të bashkuara. Ata mbeten ende të paunifikuar në krijimin e një liste të vetme përfaqësuese. Protesta nuk është vetëm studentore, por ka nisur të marrë mbështetje edhe nga qytetarët e Beogradit, gjë që po e mban gjallë lëvizjen. Megjithatë, kjo mbështetje qytetare mund të zbehet me kalimin e kohës, pasi publiku pritet të kërkojë rezultate konkrete dhe nuk mund të përballojë për një kohë të gjatë bllokimin e qytetit”, tha Andoni.

The post Analisti: Protestat studentore në Serbi me mungesë kohezioni dhe drejtimi të qartë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: