Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shprehur shqetësim serioz lidhur me publikimet që aludojnë për një lidhje të mundshme të një zëvendëskryeministri me shërbimet e inteligjencës serbe. Sipas tij, nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, ato përbëjnë një çështje me ndjeshmëri të lartë për sigurinë dhe funksionimin institucional të një vendi anëtar të NATO-s.
Osmani thekson se një situatë e tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta mbi besueshmërinë dhe integritetin e institucioneve shtetërore, duke ngritur dyshime mbi rrjedhjen e informacionit drejt një vendi jashtë aleancës euroatlantike.
“Informacioni publik që pretendon se një Zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të inteligjencës serbe ngre shqetësime serioze për një shtet anëtar të NATO-s. Nëse është e vërtetë, kjo do të thotë që informacioni dhe proceset e brendshme nga një qeveri e NATO-s mund të jenë eksportuar në një vend jo-anëtar të NATO-s, i lidhur ngushtë me Rusinë. Kjo është një çështje sigurie kombëtare, integriteti institucional dhe besimi brenda aleancës euroatlantike. Akuzat kërkojnë sqarime urgjente, transparente dhe profesionale nga autoritetet kompetente”, shkruan Osmani.
The post Publikime mbi zëvendëskryeministrin, reagon Osmani: Çështje serioze për sigurinë e NATO-s appeared first on Euronews Albania.
