Qytetarët e Kosovës janë duke votuar në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare të dielën, të tretat në rreth 18 muaj, pasi asnjë parti nuk ka qenë në gjendje të fitojë shumicë të fuqishme për ta nxjerrë vendin nga kriza politike.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe pritet të mbyllen në orën 19:00, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha në një konferencë për media në orën 11:30 se procesi zgjedhor është duke u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident në 38 komunat e vendit.
“Sipas të dhënave të raportuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve, votimi deri në këtë kohë është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme që do ta cenonin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Radoniqi.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.33 për qind të rreth 2 milionë e qytetarëve me të drejtë vote, që është përafërsisht njëjtë me daljen e shënuar në zgjedhjet e kaluara të dhjetorit.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial po qëndrojnë kujdestarë për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Më shumë se 900 kandidatë nga 17 parti politike dhe tri koalicione po garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 deputetë.
Ndërkohë, udhëheqësit politikë bënë thirrje për dalje sa më të madhe në zgjedhje dhe proces të qetë e demokratik.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili synon ta ruajë pushtetin, tha se shpreson që vendi nuk do të ketë nevojë më të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi hodhi votën e tij në Prishtinë.
“Uroj që për zgjedhje parlamentare këtu të shihemi pas katër vitesh”, tha Kurti.
Edhe kundërshtarët e tij opozitarë, kandidati për kryeministër dhe kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, dhe ai i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, u shprehën se nuk duhet të ketë më zgjedhje në katër vjetët e ardhshme.
“I ftoj ta ushtrojnë të drejtën për votë sipas bindjeve të tyre politike, të votojnë në mënyrë të qetë, të lirë dhe demokratike. Ne sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme”, tha Hamza.
Abdixhiku tha se sot është “një ditë, brenda 12 orëve nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 7 e mbrëmjes, vendoset fati i Republikës për katër vjetët e ardhshme”.
The post Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, pjesëmarrja kaloi 8% deri në orën 11:00. Votimi po vazhdon qetësisht appeared first on Euronews Albania.
