I ftuar në emisionin “Review” me Greta Topjanën, ish-futbollisti i Kombëtares, Ilirjan Alliu, ka komentuar finalen e Botërorit mes Spanjës dhe Argjentinës, duke analizuar mënyrën e lojës së dy skuadrave.
Alliu u shpreh se Spanja është një skuadër që nuk luan në mbrojtje dhe nuk tërhiqet pas, por kërkon të dominojë përmes presingut të lartë dhe qarkullimit të topit.
“Nuk është Spanja ekip që tërhiqet dhe luan mbrapa. Është tjetër gjë. Loja është brenda pritshmërive. Spanja është në sulm agresiv, me presing të lartë në gjysmëfushën e kundërshtarit, duke shpresuar që ta çojë lojën pranë zonës së 16-metërshit të kundërshtarit”, tha ai.
Ish-futbollisti theksoi se skuadra spanjolle e di rëndësinë e golit të parë, pasi mënyra e lojës së saj i jep avantazh të madh pas kalimit në epërsi.
“Spanja e di shumë mirë, është shumë e qartë që kush shënon golin e parë ka avantazhe të mëdha në këtë ndeshje. Spanja posedon një qarkullim shumë të mirë të topit dhe pas golit të parë mund të të çmontojë. Është ekip që nuk tërhiqet pas dhe do të shfrytëzojë hapësirat që është e detyruar Argjentina t’i lërë. Prandaj është shumë i rëndësishëm goli i parë i kësaj ndeshjeje. Kush do të shënojë golin e parë, prej tij do të varen të gjitha dinamikat e mëvonshme të ndeshjes”, tha Alliu.
The post Finalja e Botërorit, Alliu: Spanja mund ta çmontojë Argjentinën pas golit të parë appeared first on Euronews Albania.
